Në prag të vizitës së Benjamin Netanyahut në SHBA për t’u takuar me presidentin Donald Trump (e treta në pak në muaj e Netanyahut në SHBA, por e para me Presidentin e ri amerikan), sundon skepticizmi për fazën 2 dhe 3 të marrëveshjes në Gaza.
Sipas Jerusalem Post, Netanyahu do t’i kërkojë Trumpit të nisë demonstrimin e “ferrit” të kërcënuar nga presidenti, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje më e mirë në fazën e dytë të armëpushimit, për të cilën negociatat duket se janë shtyrë nga Izraeli për të martën.
“Përmirësimi” i marrëveshjes në thelb do të konsistonte në një garanci që Hamasi nuk do të qeverisë më Gazën, nëse dhe kur forcat izraelite do të përfundojnë tërheqjen e tyre nga Rripi.
Një pikë e dytë në të cilën kryeministri izraelit do të këmbëngulë është Irani: Netanyahu do të donte autorizimin dhe bashkëpunimin amerikan për të goditur burimet bërthamore të Teheranit deri në fund të këtij viti.
Nga mënyra se si do ecin bisedimet mes Netanyahut dhe Trump, varet edhe vazhdimësia e situatës në Gaza.
Të shtunën u bë shkëmbimi i katërt i pengjeve. Por, pavarësisht kësaj, shanset që Izraeli të mos e respektojë marrëveshjen janë gjithnjë e më të mëdha.
Hallkat janë të shumta dhe qeveria izraelite nuk i fsheh synimet e saj për të rifilluar luftën kundër Hamasit, i cili, nga ana e tij përmes zbatimit të kësaj marrëveshjeje ka treguar që, edhe pse është dobësuar ushtarakisht pa dyshim, mbetet i gjallë.
Nuk dihet nëse kthesa e Netanyahut në pranimin e një armëpushimi pas shumë muajsh pengesash u pranua nga frika e paparashikueshmërisë së Trumpit, apo falë premtimeve të mundeshe që Presidenti i ri amerikan mund të ketë bërë në lidhje me aneksimin e Cisjordanisë dhe dëbimin masiv të palestinezëve.
Gjithsesi nëse Tel Avivi nuk arrin rezultatet e dëshiruara përmes presionit politik lufta mund të rifillojë në çdo kohë.
Jo më kot Trump pasi u tregua skeptik për fazat e mëtejshme të marrëveshjes propozoi që 1 milion e gjysmë palestinezë të dërgoheshin drejt Jordanisë dhe Egjiptit.
Edhe pse kjo nuk është hera e parë që Washingtoni ushqen oreksin izraelit me këtë ide. Në fillim të luftës në Gaza administrata Biden i kërkoi Kajros të hapte kufijtë.
Qartë të dy palët, ajo izraelite dhe amerikane, kanë të njëjtin vizion në lidhje më konfliktin izraelito-palestinez. Orientimi qartësisht është ai i spastrimit etnik dhe deportimit nga Gaza, aneksimit dhe kolonizimit në Bregun Perëndimor.
Ndërsa për qeverinë izraelite kjo është një çështje ideologjike, politike, fetare dhe identitare, për Trump me sa duket ka të bëjë edhe me pasurimin që mund të vijë nga zhvillimi i pasurive të paluajtshme.
Por në këtë plan të spastrimit etnik dhe kolonizimit të vazhdueshëm Kajro dhe Ammani, për momentin nuk duken aspak të gatshëm të pranojnë një zgjidhje të kësaj natyre.
Të dyja shtetet do të kishin mbi të gjitha lëkundje të stabilitetit të brendshëm.
Nga njëra anë Jordania me një popullsi pre 11 milionë banorësh ka pothuaj 2 milionë refugjatë palestinezë dhe vlerësohet se më shumë se gjysma e popullsisë vendase është me origjinë palestineze.
Një valë e re refugjatësh mund të destabilizojë mbretërinë Hashemite.
Në Egjipt me një popullsi prej 120 milionë banorësh, një valë refugjatësh palestinezë nuk do të kishte shumë ndikim në demografinë e vendit, por mund të përfaqësonte një kërcënim për regjimin e Abdel Fattah al-Sisi, i cili në listën e armiqve të tij rendit Vëllezërit Myslimanë, pjesë e të cilëve është Hamasi.
Përveç Kajros dhe Ammanit, të shtunën 1 shkurt, edhe Arabia Saudite, Emiratet dhe vende të tjera arabe kanë dalë me një deklaratë ku kanë hedhur poshtë idenë e presidentit Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve në Gaza dhe Egjipt, duke nënvizuar se çdo plan që inkurajon “transferimin ose rrënimin e palestinezëve nga toka e tyre” do të kërcënonte stabilitetin në rajon dhe “do të minonte mundësitë për paqe dhe bashkëjetesë mes popujve të tij”.
Po fantazia gjeopolitike e Trump nuk është as e parashikueshme dhe as e kujdesshme ndaj aleatëve, ashtu si duket në fazën e parë të Presidencës së tij të dytë.
Prandaj, ai mund të zgjedhë të kërcënojë vendosjen e tarifave (si me Kolumbinë pak ditë më parë) dhe pezullimin e ndihmës ekonomike dhe ushtarake për të dy vendet.
Në rastin e Egjiptit, ndihma ushtarake amerikane arrin në 1.3 miliardë dollarë çdo vit. Në këtë rast nuk dihet sa e fortë mund të jetë qëndrueshmëria e Kajros dhe Ammanit.
I vetmi aktor që do të që mund të pengojë planet është Arabia Saudite, veçanërisht në dritën e levave që ka, jo aq me Izraelin, sesa me Shtetet e Bashkuara.
Për Netanyahun aneksimi, kolonizimi dhe spastrimi i Gazës kanë prioritetin absolut. Nuk është më një çështje ekonomike. Asgjë tjetër nuk do ta bënte të ndërronte mëndje. Përkundrazi oreksi mund të jetë i shtuar dhe për territore libaneze apo siriane në Lartësitë e Golanit.
Netanyahu nuk mjaftohet vetëm me kaq. Deportimit të palestinezëve në Jordani dhe Egjipt i shtohet një plan i mëparshëm gjithashtu, për të imponuar vendosjen e refugjatëve palestinezë në këto dy vende, Liban dhe Siri.
Vlen të kujtohet se në vitin 2019, nën mandatin e parë të Trump pas Marrëveshjes së Abrahamit, ishte shfaqur një projekt për vendosjen e palestinezëve në Liban, së cilës iu bashkua Ministri britanik i Shtetit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Alistair Burt, i cili gjatë një udhëtimi në Bejrut kishte propozuar vendosjen e rreth 100 mijë palestinezëve në Liban në këmbim të ndihmës financiare për të parandaluar kolapsin ekonomik.
Kurse për Donald Trump historia ndryshon. Nga njëra anë interesat kombëtare izraelite dhe amerikane kanë shumë pika konvergjente në rajon, por nuk duhet harruar që ato nuk përputhen plotësisht.
Akordet e Abrahamit gjatë presidencës së parë Trump ishte trashëgimia e tij.
Ndaj kurorëzimi tashmë me një akord paqeje mes Izraelit dhe Arabisë Saudite do të ishte hapi që Trump do të kërkojë të përmbyllë. Kësaj i shtohet edhe dëshira e përmbylljes së një marrëveshjeje me Iranin në lidhje me armët bërthamore.
Këshilltari i ardhshëm i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz, e përshkroi normalizimin saudito-izraelit si një “prioritet të madh” dhe “fazën tjetër të Marrëveshjes së Abrahamit”.
Për Trump-in në veçanti nuk duhet harruar që paratë kanë vërtet rëndësi. Vlerësohen 600 miliardë dollarë investime që Princi i Kurorës Mohammed bin Salman ka ofruar, ashtu si pesha e Arabisë Saudite në tregjet e naftës dhe, rrjedhimisht, çmimi i naftës së papërpunuar për presidentin amerikan.
Për më tepër, negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së ripërtërirë të mbrojtjes midis Arabisë Saudite dhe Shteteve të Bashkuara janë ende në vazhdim. Riadi është i vetëdijshëm se Trump do të dëshirojë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila për rrjedhojë përfshin edhe njohjen e Izraelit, për të dhënë garanci të forta sigurie për sauditët, në rast të një sulmi të jashtëm dhe bashkëpunimi për energjinë bërthamore civile.
Mundësia e nënshkrimit të një marrëveshjeje të pjesshme, pra ajo që përjashton dosjen e Izraelit, duket shumë e zbehtë.
Por në situatën aktuale, prioritetet e politikës së jashtme të Arabisë Saudite duken gjithnjë e më larg normalizimit.
Në vitin e ardhshëm, mbretëria saudite do të duhet të lundrojë më shumë se kurrë mes nevojave për t’iu përgjigjur kërkesave të politikës rajonale dhe asaj ndërkombëtare.
Përpjekja për të mbrojtur të drejtat palestineze është, të paktën në dukje, shqetësimi kryesor për vendet arabe. Krijimi i një shteti palestinez, me një program konkret të inskenuar, tani është parakushti saudit për normalizimin me Izraelin. Një qëllim që nuk duket realist dhe i mundshëm për momentin.
Arabia Saudite ka mbajtur prej kohësh qëndrimin e saj zyrtar se normalizimi i Mbretërisë me Izraelin mund të ndodhë vetëm pas krijimit të një shteti të pavarur dhe sovran palestinez të bazuar në kufijtë e viteve 1949-67. Ky ka qenë qëndrimi i Riadit që kur princi i atëhershëm i kurorës saudite Abdullah bin Abdulaziz al-Saud propozoi Iniciativën Arabe të Paqes në samitin e Ligës Arabe të vitit 2002 në Bejrut.
Në dritën e situatës aktuale, tema e Marrëveshjes së Abrahamit, të cilën Trump e konsideron “zgjidhja e shekullit”, nuk duket më të zërë një pozicion të spikatur në agjendën saudite.
Princi i kurorës saudit, Mohammed bin Salman nga njëra anë dëshiron të përfaqësojë Arabinë Saudite në samitet e G20, me titanët e teknologjisë dhe financuesit nga SHBA-të dhe Evropa, dhe nga ana tjetër të thellojë marrëdhëniet me vendet e BRICS, ku formalisht Arabia Saudite ende nuk e ka pranuar anëtarësimin.
Për sa i përket rajonit të Lindjes së Mesme, stabiliteti është qëllimi kryesor. Dhe duket qartë zyrtarët sauditë kanë ndjekur një politikë de-përshkallëzimi, e cila përfshin rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Iranin që në mars të 2023 dhe uljen e presionit ekonomik ndaj Houthis.
Nëse administrata e dytë e Trump do të kthehej, siç është e besueshme, në strategjinë e “presionit maksimal” kundër Teheranit, domethënë sanksioneve ekonomike dhe toneve kërcënuese, politika e de-përshkallëzimit të Arabisë Saudite do të haste vështirësi të konsiderueshme.
Këto përpjekje për të izoluar Arabinë Saudite nga tensionet dhe konfliktet e vazhdueshme rajonale janë veçanërisht të rëndësishme për përparimin e vazhdueshëm të Vizionit Saudit 2030 – një agjendë ambicioze e princit të kurorës MBS, e transformimit social dhe ekonomik që kërkon një fluks të vazhdueshëm investitorësh, banorësh dhe turistësh të huaj.
Nëntë vjet pas nisjes së Vizionit 2030, programi për diversifikimin përtej naftës, Arabia Saudite është në një fazë delikate të zbatimit të tij.
Pavarësisht optimizmit nga lobi pro normalizimit në administratën e re Trump, është e arsyeshme të supozohet se këto rreziqe mbeten shumë të larta për udhëheqjen e Arabisë Saudite, edhe në dritën e një armëpushimi të dobët në Gaza.
Trump, me gjasë do të kërkojë që armëpushimi të mbajë sa më shumë të jetë e mundur, pasi fronte të qeta në Liban dhe Gaza nevojiten për të bindur udhëheqjen saudite që t’i bashkohet Marrëveshjes së Abrahamit.
Nëse operacionet ushtarake të Izraelit në Gaza rifillojnë, kjo do ta bënte të pamundur që Arabia Saudite të binte dakord për të normalizuar marrëdhëniet diplomatike me Tel Avivin.
Gjithashtu opinioni publik saudit, të cilin princi është i detyruar ta ndjek, do të kthehej akoma më shumë kundër çdo përpjekje për normalizim.
Kështu që pa ndërmarrë hapa drejt formimit të një shteti palestinez, është e vështirë të imagjinohet që Riadi të normalizohet me Tel Avivin. Aq më tepër në një kontekst ku Irani Iranit dhe aleatët e tij të “Boshtit të Rezistencës”, janë të dobësuar si asnjëherë duke paraqitur një rrezik shumë më të vogël kërcënues ndaj Riadit.
Por gjithashtu jemi të vetëdijshëm se qeveria izraelite, kësaj radhe e mbështetur më shumë se kurrë nga opinioni i saj publik, nuk do të bënte asnjë lëshim në lidhje me krijimin e një shteti palestinez. Përkundrazi!
Në këtë pikë, nëse Trump realisht do me të gjitha gjasat të shkojë drejt rrugës së normalizimit Izrael- Arabi Saudite, ka rëndësi akoma më të madhe ecuria e traktatit të mbrojtjes mes Mbretërisë dhe SHBA-ve. Vetëm ai proces (duhet parë edhe nëse Senati amerikan e kalon) do të jetë në gjendje të përcaktojë se çfarë mund të pranojnë ose jo sauditët dhe deri ku mund të shkojnë lëshimet e izraelitëve.
Çelësat për të shmangur katastrofat e mëtejshme në Lindjen e Mesme janë në Riad. Mbetet për t’u parë nëse dhe si do t’i përdorë ato./Albanianpost/