Në një intervistë për Euronews Albania ka folur Haki Abazi, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për deputet.

Abazi ka diskutuar sa i përket fushatës zgjedhore në Kosovë, duke u ndalur konkretisht në qëndrimin e Kurtit dhe reagimeve të ashpra ndaj kryeministrit të Kosovës, siç është reagimi i njërit nga zyrtarët më të lartë të Administratës së presidentit të SHBA-ve Donald Trump, Richard Grenell.

Ky i fundit është shprehur se qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk ka qenë e besueshme për SHBA-të.

Abazi thekson se ky reagim nuk është në favor të populli të Kosovës më shumë sesa të Kurtit.

“Mendoj që është diçka jo e frytshme për popullin e Kosovës sepse marrëdhënia Grenell-Kurti janë të njohura. Ajo çfarë duhet të merret me seriozitet është gjendja në të cilën jemi sepse është kjo gjuhë e përdorur nga një njëri që ka fuqi të madhe vendimmarrëse.

Për Kosovën është e rëndësishme që shteti më i fuqishëm në botë ka një pozicion nëpërmjet një njeriu që ka afërsi me presidentin amerikan”, tha kandidati i AAK-së.

Ndër të tjera ai shton se mes SHBA-së dhe Kosovës nuk ka një marrëdhënie të përmirësuar dhe se Kurti ka lënë nën hije faktin që Kosova si shtet ka nevojë jo për përplasje, por për partnerë të fuqishëm ndërkombëtarë, duke nënkuptuar kështu se kjo situatë përbën rrezik për Kosovën.

“Hidhërimi i amerikanëve me Kurtin është i qartë dhe i drejtpërdrejtë, edhe pasojat janë të mëdha sepse kemi të bëjmë me një qëndrim që nuk ka më gjuhë diplomatike por një qartësi me të cilat do të ballafaqohemi në 4 vitet e ardhshme. Nuk ka përmirësim të marrëdhënieve, ka qartësi të një përplasjeje të një shteti më të fuqishëm në botë dhe një vendi që është në shtet-ndërtim dhe ka një kryeministër që e ka kthyer në shaka marrëdhënien diplomatike qoftë me SHBA-në por dhe me BE-në, por dhe me qytetarët e Kosovës. Shof një mungesë serioziteti ndaj idesë që Kosova ka nevojë për partnerë ndërkombëtarë të fuqishëm, dhe Grenell e ka ndarë vijën me qartësi. Me Kurtin kryeministër, çështjet për Kosovën në shtet-ndërtim dhe njohjet janë vënë në rrezik maksimal”, tha Haki Abazi.