Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan u shpreh se plani i presidentit amerikan Donald Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza është i papranueshëm, raporton Anadolu.

Duke folur në redaksinë e editorëve të Anadolu-t në Ankara, Fidan trajtoi çështje kyçe rajonale, përfshirë deklaratat e fundit të presidentit amerikan rreth Gazës, si dhe qëndrimin e Sirisë ndaj terrorizmit dhe bashkëpunimin në sferën e sigurisë.

“Çështja e dëbimit është një situatë që as rajoni e as ne nuk mund ta pranojmë. Është absurde ta mendosh këtë. Është gabim madje të diskutohet kjo çështje”, tha Fidan, duke shtuar:

“Jemi kundër të gjitha nismave që kërkojnë të përjashtojnë popullin e Gazës nga ekuacioni”.

Ai gjithashtu u shpreh se bota po shkon drejt “ligjit të xhunglës”, ku askush nuk merr në konsideratë nevojat e të tjerëve dhe zbaton filozofinë “unë e bëj sepse jam i fortë”.

– Qëndrimi i administratës së re siriane plotëson nevojat e sigurisë së Türkiyes

Duke folur rreth Sirisë, kryediplomati turk tha se administrata e re siriane nuk ka plane të përfshihen në bisedime për federatë apo rajone autonome.

Fidan tha se qëndrimi i presidentit të përkohshëm sirian Ahmad al-Sharaa ndaj grupit terrorist PKK/YPG është “jashtëzakonisht i qartë” dhe plotëson nevojat e sigurisë së Türkiyes.

Ai tha se Siria do të kthejë ose “eliminojë” të gjithë terroristët e PKK-së që kanë ardhur nga vende të ndryshme, “për të siguruar unitetin e saj kombëtar”.

Lidhur me luftën kundër terrorizmit në rajon, Fidan njoftoi hapat për krijimin e një mekanizmi të përbashkët midis Türkiyes, Irakut, Sirisë dhe Jordanisë për të luftuar grupin terrorist DEASH.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume