Donald Trump po konsideron një mundësi për të mos i tërhequr Shtetet e Bashkuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Megjithatë presidenti amerikan ka disa kushte. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, administrata e Trump ka marrë në konsideratë një plan për reforma në OBSH, duke përfshirë vendosjen e një amerikani në krye.

Dokumenti, i ndarë me këshilltarët e Presidentit Donald Trump përpara inaugurimit të tij më 20 janar, rekomandoi që Shtetet e Bashkuara të njoftojnë shpejt tërheqjen e tyre nga OBSH dhe të miratojnë një qasje të re radikale për t’u marrë me agjencinë, me synimin që një amerikan të marrë drejtimin, sapo të përfundojë mandati i Tedros Gebriesus në vitin 2027.

I përpiluar nga një ekspert i politikës së jashtme me kërkesë të ekipit të tranzicionit të Trump, propozimi përfundon se OBSH është bërë “agjencia më kaotike, më pak efektive e OKB”.

OBSH ka dështuar të zbatojë reformat e propozuara gjatë dy dekadave të fundit, duke ëuar në një përkeqësim të menaxhimit dhe ekspertizës shkencore, thuhet në dokument.

Megjithëse më tej pranohet se largimi nga OBSH-ja do të dëmtonte interesat amerikane, dokumenti argumenton se e njëjta gjë vlen edhe në rast se SHBA qëndron në organizatë nëse ajo nuk reformohet.

Në rast se SHBA tërhiqet, agjencia e OKB do të humbiste financuesin më të madh.

Në urdhrin e tij Trump akuzon OBSH për keqpërdorimin e pandemisë së COVID-19 dhe ka kërkuar një spastrim të agjencisë në mënyrë që SHBA të rikthehet, por nuk ka dhënë detaje specifike.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume