Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se palestinezët duhet të krijojnë shtetin e tyre në Arabinë Saudite dhe jo në atdheun e tyre, duke hedhur poshtë çdo nocion të sovranitetit palestinez.
“Sauditët mund të krijojnë një shtet palestinez në Arabinë Saudite; ata kanë shumë tokë atje”, tha Netanyahu të enjten gjatë një interviste me Kanalin 14 izraelit, duke shpërfillur kërkesat e kahershme palestineze për vetëvendosje.
I pyetur nëse një shtet palestinez ishte i nevojshëm për normalizimin me Arabinë Saudite, ai hodhi poshtë idenë, duke e cilësuar atë si një “kërcënim të sigurisë për Izraelin”.
“Sidomos jo një shtet palestinez. Pas 7 tetorit? A e dini se çfarë është kjo? Kishte një shtet palestinez, quhej Gaza. Gaza, e udhëhequr nga Hamasi, ishte një shtet palestinez dhe shikoni se çfarë na ndodhi”, tha ai, duke përjashtuar përsëri krijimin e një shteti palestinez.
Netanyahu foli gjithashtu për normalizimin e mundshëm me Arabinë Saudite, duke parashikuar një marrëveshje të afërt.
“Unë mendoj se paqja midis Izraelit dhe Arabisë Saudite nuk është vetëm e realizueshme, por mendoj se do të ndodhë”, tha ai.
Megjithatë, Ministria e Jashtme saudite kishte hedhur poshtë narrativën e Netanyahut, duke përsëritur se normalizimi me Izraelin është jashtë tryezës nëse nuk krijohet një shtet palestinez, një qëndrim që Netanyahu vazhdon ta shpërfillë.
Intervista u zhvillua ndërsa Netanyahu ishte në Uashington, ku u shfaq së bashku me presidentin e ShBA-së Donald Trump në një konferencë të përbashkët për media.
Gjatë ngjarjes, Trump tha se ShBA-ja do të “marrë nën kontroll” Gazën dhe do t’i zhvendosë palestinezët diku tjetër sipas një plani të jashtëzakonshëm ri-zhvillimi që ai pretendoi se mund ta kthejë enklavën në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Ai e përditësoi propozimin e tij të enjten dhe tha se nuk do të nevojiteshin ushtarë amerikanë.
Propozimi është dënuar gjerësisht nga liderët botërorë.