Shkruan: Sadije Aliti
Përurimi i botimeve më të reja të autorit Hasan Elshani u realizua në Prishtinë. Libri “Çelësi i Portës” çelës për të zbuluar një realitet tjetër, atë të fjalës, ndjesisë dhe artit poetik. Në poezi, një portë mund të përfaqësojë një mundësi, një sfidë, një ndalesë ose një fillim të ri. Autori nxit lexuesin të mendojmë për poezinë si një mjet që na lejon të hyjmë në një botë më të thellë emocionale, shpirtërore apo filozofike. Poezia mund të jetë çelësi për të kuptuar ndjenjat, kujtimet dhe përjetimet e autorit.
“Libri përmban poezi me tematika të atdheut, mallit për vendlindjen, dëshmorëve të lirisë, njerëzve të tokës amë, ndërsa poema “Gjarpri nën gur” i kushtohet “luajve të nëntokës”, minatorëve të Trepçës, që në vitin 1989 dridhën themelet e ish-Jugosllavisë, si krijesë nën tutelën sllave”-tha mes tjerash në fjalën e tij Mr. Arbër Halilaj.
Redaktorja e librit, Sadije Aliti mes tjerash theksoi se: “Libri me poezi “Çelësi i portës” është i ndarë në tre cikle, edhe ate lavdisë së dashurisë, lavdisë së vendlindjes dhe lavdisë së trimave. Autori ka paraqitur dhe sintetizuar qartë, saktë dhe bukur idetë, mendimet, figurat dhe sintaksën stilistike drejt majave për t’u ngjitur në panteonin e lirikës shqipe. Poeti është nga fillimi e deri në fund kërkues i të vërtetave të përhershme të jetës kombëtare, personale e njerëzore dhe mjeshtër për kumtimin e tyre me një shprehje që e ka të mbrojtur në vete vërtetësinë artistike”. Poeti jeton e vepron jashtë atdheut, por porta në vendlinje, dera çdoherë mbetet e hapur dhe pret me shumë dashuri kthimin e tyre.
“Libri “Çelësi i Portës” me titull mjaft simbolik dhe i ngarkuar me kuptime të thella poetike e filozofike. Ai na fton të meditojmë mbi nocione si hyrja, sekreti, kalimi nga një botë në tjetrën dhe fuqia e çelësit për të hapur diçka të fshehur ose të mbyllur. Simbolika e titullit kuptohet se çelësi zakonisht simbolizon dijen, sekretet, fshehtësinë dhe aftësinë për të hyrë në vende të ndaluara ose të panjohura”- theksoi mes tjerash Drita Kosumi Syla në fjalën e saj.
Në këtë ngjarje të bukur letrare, përveç festimit të fjalës së shkruar, autorit iu bë edhe një vlerësim i veçantë, ndarja e një Mirënjohjeje nga z. Hajdar Fejzullahi, pronar i Shtëpisë Botuese Lena Graphic. Miqësia e vërtetë është si një poezi e pashkruar, që ruan brenda saj kujtimet, përjetimet dhe momentet më të çmuara të jetës. Përmes këtij gjesti fisnik, z. Fejzullahi jo vetëm që shpreh falënderimin për vitet e bukura të kaluara në Slloveni, por edhe kujtoi se vlerat e miqësisë dhe mirënjohjes janë ndër thesaret më të mëdha të jetës.