Kryeministri Edi Rama ka shkuar në Bashkinë e Tiranës ku sipas informacioneve ka zhvilluar një takim me nënkryetarët e bashkisë.

Vizita e kryeministrit Rama në ambientet e bashkisë vjen një ditë pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri Rama ka dalë nga ambientet e bashkisë i shoqëruar nga një nga nënkryetaret e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.

Në takimin me kryeministrin Edi Rama kanë qenë 5 nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, Keti Luarasi dhe Anuela Ristani, Frida Pashako dhe Jonida Halili.

Kujtojmë se kryebashkiaku Veliaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.

Hetimet ndaj Veliajt drejtohen nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado. Ato janë ngritur mbi dyshime të arsyeshme se kryebashkiaku ka konsumuar elementë të veprës penale, duke përfituar në mënyrë të tërthortë përmes bizneseve të lidhura me familjarët e tij dhe biznesmenin Elman Abule.

Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar telefonin e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe ka ushtruar kontroll në ambientet e qendrës “Harabel” dhe të “Nan Gallery”, të themeluara prej saj. Si pjesë e hetimeve, SPAK ka kontrolluar gjithashtu një apartament dhe një vilë në pronësi të vëllait të kryebashkiakut, Arbër Veliaj dhe biznesit të tij “Gogel Shpk”.