Reagimi nga Brukseli për zgjedhjet, Kallas dhe Kos: Presim konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë – Kosova ta mbrojë lirinë e shprehjes
Nënkryetarja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, si dhe Marta Kos, komisionere për Zgjerim kanë lëshuar deklaratë për zgjedhjet parlametasre që janë mbajtur në Kosovë më 9 shkurt.
Në këtë deklaratë thuhet se Bashkimi Evropian prej konstituimin e Kuvendit, si dhe formimin e Kosovës.
Ndër kërkesat e BE-së është edhe mbrojtja e lirisë së shprehjes – ku edhe gjatë fushatës pushteti ka drejtuar një mori sulmesh ndaj mediave e gazetarëve në Kosovë.
Më poshtë deklarata e BE-së:
Të dielën, populli i Kosovës ushtroi të drejtën e tij demokratike duke votuar në zgjedhjet e rregullta parlamentare. Bashkimi Evropian ka vendosur një Mision Vëzhgues Zgjedhor (MVZ) i cili do të qëndrojë në Kosovë për të ndjekur procedurat paszgjedhore si dhe për të nxjerrë rekomandime.
Sipas konstatimeve preliminare, zgjedhjet kanë qenë të qeta dhe konkurruese me pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve, ndërsa është zbatuar ligji i ri zgjedhor. Fushata ishte e gjallë. Procesi i përgjithshëm tregoi qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike.
Ne presim me padurim formimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet, me synimin për të mbështetur Kosovën për t’iu afruar BE-së dhe për të përfituar plotësisht nga mundësitë e rëndësishme si Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të angazhohen në bashkëpunim të përgjegjshëm rajonal dhe të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike, si dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes. Progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë është e vetmja mënyrë që Kosova të arrijë progres në rrugën e saj evropiane. Kosova pritet të zbatojë obligimet e saj që dalin nga Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e kaluara të Dialogut pa vonesa apo parakushte të mëtejshme. Nuk ka alternativë për Dialogun e lehtësuar nga BE.
Kosova ka dorëzuar një aplikim për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. Komisioni mbetet i disponueshëm për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo ta kërkojë Këshilli.