Kryeministri Edi Rama mori sërish në mbrojtje kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se në dosjen e SPAK ndaj kryebashkiakut nuk ka asnjë provë.

Ai shtoi se SPAK e akuzon Veliajn dhe familjen e tij se kanë shpenzuar 800 mijë euro për bizhuteri dhe fustane, ndërkohë që nuk ka treguar asnjë provë. Gjithashtu, ai u ndal në një episod tjetër të dosjes Veliaj, ku SPAK e akuzon kryebashkiakun se, në cilësinë e Ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, ka emëruar zv.ministre gruan e biznesmenit Gentian Sula për shkak të përfitimeve.

Rama theksoi se kjo është e pavërtetë, pasi zonja në fjalë është emëruar zv.ministre nga ai, me kërkesë të ish-kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

“Ka apo s’ka prova? Të thuash që janë bërë blerje online prej 800 mijë eurosh për bizhu dhe fustane, ndërkohë që kryetari i Bashkisë nuk vesh fustan dhe nuk blen bizhu, dhe për këtë ta marrësh një njeri të zgjedhur, që ka një kontratë me qytetarët, dhe ta mbyllësh në një dhomë paraburgimi, duhet minimalisht të tregosh fustanët dhe bizhutë. Duhet të tregosh provat. Është shumë e thjeshtë: duhet të tregosh provat.

Ndaj u kërkoj mediave të bëjnë hulumtimin për provat. Në atë roman 400 faqësh nuk ka prova. Ka vetëm një tregim të ndërlikuar me gjithëfarë personazhesh dhe veprimesh shkak-pasojë, por nuk ka prova.

Aty thuhet që Erion Veliaj ka emëruar një zv.ministre, gruan e një biznesmeni, pasi ky i fundit e ka marrë me avion diku. Nuk di nëse ka pasur një udhëtim më parë, por që të arrish në konkluzionin se zv.ministrja është vendosur si rezultat i atij udhëtimi, këtë mund ta bësh në dy mënyra: ose me metodat e Sigurimit të Shtetit – “Çfarë bëje ti në veturën e ambasadës jugosllave?” (e dini ju historinë) – ose duke e pasur të provuar bisedën.

Ndërkohë, zv.ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale është vendosur me kërkesë të ish-kryetarit të Kuvendit, këtu në sallën ngjitur, mua personalisht, kur ishim në koalicion. Ai më ka kërkuar që të flas me Erionin dhe të vendoset kjo grua, të cilën unë nuk e njihja, nga shoqëria civile,” – tha Rama.