Policia e Shtetit ka arrestuar 27-vjeçarin Elvis Ndreca, i cili ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit Revanshi. Burime bëjnë me dije se i riu është arrestuar mbrëmjen e djeshme nga policia.

Elvis Ndreca doli në përgjimet e SKY ECC në dosjen “Revanshi” të SPAK. Ndreca akuzohet nga SPAK për veprën penale të “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasje” ndaj Durim Bamit. Ndreca është kushëriri i deputetit të PS në Lezhë, Eduard Ndrecës.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë kishte caktuar ndaj këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.”

Pas arrestimit, Ndreca iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë për veprime të mëtejshme procedurale.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume