Programi Fullbrajt prej 80 vitesh krijon mundësi për mësim, kërkim shkencor dhe zhvillim profesional për mijëra studentë dhe shkencëtarë në mbarë botën. Në ceremoninë solemne me rastin e këtij jubileu, për rëndësinë e programit maqedono-amerikan të shkëmbimit akademik folën ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, u.d ambasadorja e SHBA-së në Maqedoni, Nikoll Varns dhe profesori Atanas Koçov, ish-kryetar i Shoqatës së Alumni-ve Amerikano-Maqedonase.

Ministrja Janevska theksoi se vizioni i kahershëm i senatorit Fullbrajt për ndërtimin e mirëkuptimit të ndërsjellë ndërmjet popujve përmes arsimit është veçanërisht aktual sot, kur bota po përballet me sfida dhe ndarje gjithnjë e më të mëdha. Bashkëpunimi akademik ndërkombëtar luan rol të rëndësishëm në ndërtimin e vlerave të qëndrueshme, partneriteteve dhe besimit të ndërsjellë. Janevska në shënimin e 80-vjetorit të Programit Fullbrajt: Shkëmbimi akademik ndërton vlera të qëndrueshme, partneritete dhe besim të ndërsjellë

Duke shprehur mirënjohje për të gjithë ata që gjatë viteve të kaluara e kanë mbështetur dhe zhvilluar programin, Janevska theksoi mundësinë që një numër i madh të rinjsh të talentuar, shkencëtarësh, studiuesish dhe profesionistësh të mësojnë nga njëri-tjetri dhe të kontribuojnë për një botë më të mirë.
U.D Ambasadorja Varns, theksoi se më shumë se 450.000 studentë, studiues dhe profesionistë nga mbi 160 vende kanë studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose jashtë vendit, me mbështetjen amerikane.

„Programi Fullbrajt ka nxjerrë liderë shtetërorë, laureatë të Çmimit Nobel, shkencëtarë dhe sipërmarrës. Sot, Fullbrajt mbetet programi kryesor akademik i shkëmbimit ndërkombëtar i Departamentit Amerikan të Shtetit“, theksoi u.d ambasadorja Varns, dike shtuar se prej dekadash, përfituesit e programit Fulbrajt i shfrytëzojnë në maksimum mundësitë që ofron ky program dhe kthehen në vendet e tyre për të kontribuar, krijuar dhe udhëhequr.
Duke iu referuar përfitimeve të programit, edhe ministrja Janevska theksoi se bursistët maqedonas që qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pasurohen me përvoja të çmuara personale dhe profesionale.
„Për këtë flasin vetë ish-përfituesit e programit, por edhe rezultatet e tyre në karrierën e mëvonshme. Natyrisht, të jesh bursist në një nga universitetet amerikane të ranguara në krye të listave botërore është sfidë, por edhe mundësi për të përfituar sa më shumë njohuri dhe përvoja. Aty krijohen mundësi për t’u njohur me standarde të ndryshme të kërkimit shkencor dhe mësimdhënies, si dhe për të krijuar rrjete profesionale që vazhdojnë të jenë aktive edhe pas përfundimit të bursës. Pas kthimit në vend, bursistët i shfrytëzojnë njohuritë e fituara në universitete, laboratorë, institucione dhe shkolla. Për një vend në zhvillim, ky përbën investim të rëndësishëm në kapitalin njerëzor”, u shpreh ministrja.
Po aq e rëndësishme është edhe mundësia që studentët, profesorët dhe studiuesit amerikanë, përmes këtij programi, të njihen me Maqedoninë, bukuritë e saj natyrore, trashëgiminë kulturore dhe mikpritjen e qytetarëve, duke krijuar miqësi dhe partneritete që vazhdojnë edhe pas përfundimit të qëndrimit të tyre në vend.
„Pikërisht këto përvoja e bëjnë Programin Fullbrajt të veçantë dhe i japin vlerë që tejkalon kornizën e shkëmbimit akademik”, theksoi Janevska.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbetet e hapur për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta, partneriteteve institucionale dhe mobilitetit të studentëve dhe studiuesve.
„Do të vazhdojmë ta mbështesim Programin Fullbrajt, sepse krijon mundësi për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet popullit maqedonas dhe atij amerikan”, u shpreh ministrja Janevska.
Profesori i Fakultetit të Makinerisë në Shkup, Atanas Kochov, tha se përvoja e fituar gjatë vizitës studimore në SHBA, përmes programit “Fulbright”, e kishte ndryshuar ndjeshëm mënyrën se si ai i realizonte kërkimet shkencore këtu.
“Jam krenar për kontributin në rritjen e numrit të bursave për shkencëtarët dhe studiuesit, si dhe në krijimin e më shumë mundësive për studentët nga Maqedonia në kuadër të këtij programi. Çdo bursë shtesë i jep dikujt mundësinë të realizojë një hulumtim ose të studiojë jashtë vendit, e më pas të sjellë ide të reja dhe kontakte të reja në punën e tij në vend. Falënderoj Ministrinë dhe Ambasadën që e bënë të mundur këtë”, tha Kochov.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume