Donald Trump deklaroi se mund të takohet me Vladimir Putinin në Arabinë Saudite në të ardhmen e afërt, pas një bisede telefonike që zhvilluan dje, gjatë të cilës ranë dakord të fillojnë menjëherë bisedimet për paqen për Ukrainën. Kremlini konfirmoi bisedën dhe shtoi se Putini e ftoi Trumpin në Moskë, duke thënë se ka ardhur koha për të punuar së bashku.

“Do të takohemi në Arabinë Saudite. Është koha të përfundojë kjo luftë qesharake, e cila ka sjellë kaq shumë vdekje dhe shkatërrim,” tha Trump, duke e paralajmëruar Ukrainën që të mos presë rikthimin e kufijve të saj para vitit 2014.

Trump dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegset, gjithashtu hodhën poshtë mundësinë që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ka biseduar me Trump për “paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë”. Ai do të takohet nesër me nënpresidentin amerikan, Jay D. Vance, dhe sekretarin e shtetit, Marco Rubio, gjatë Konferencës për Siguri të Mynihut.

“Asnjë nuk dëshiron paqe më shumë se Ukraina. U dakorduam që të mbajmë kontakt dhe të planifikojmë takime të ardhshme,” tha Zelensky pas një bisede telefonike njëorëshe me Trumpin.

Një grup i fuqishëm i shteteve europiane, përfshirë Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe Francën, publikoi se ata gjithashtu duhet të kenë një vend në tryezën e bisedimeve për çdo negociatë lidhur me të ardhmen e Ukrainës.

“Jemi të gatshëm të forcojmë mbështetje tonë për Ukrainën. Jemi të angazhuar për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. E ndajmë qëllimin për të mbështetur Ukrainën derisa të arrihet një paqe e qëndrueshme, të drejtë dhe gjithëpërfshirëse. Ukrainës duhet t’i ofrohen garanci të forta sigurie,” thanë ministrat e Jashtëm të shtatë shteteve evropiane pas një takimi në Paris.