BSP jep detaje për sekuestrimin e 188 kg marihuanë në vlerë 707 mijë euro, janë arrestuar shoferët nga Tetova dhe Kumanova
![BSP jep detaje për sekuestrimin e 188 kg marihuanë në vlerë 707 mijë euro, janë arrestuar shoferët nga Tetova dhe Kumanova](https://tetovasot.com/wp-content/uploads/2025/02/drogaaa-750x430.jpeg)
Në një aksion të përbashkët të Byrosë për Siguri Publike pranë MPB-së dhe Drejtorisë së Doganave, më 12.02.2025 në pikën kufitare Bogorodicë u kapën 188.6 kilogramë marihuanë, duke parandaluar kështu një kanal ndërkombëtar të trafikimit të drogës. Dy persona u arrestuan dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli për veprën penale “prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e lëndëve narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.
Në lidhje me aksionin, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, dhe drejtori i Drejtorisë së Doganave, Boban Nikolovski, dhanë deklarata për mediat në pikën kufitare, duke theksuar se rasti është rezultat i bashkëpunimit të forcuar dhe veprimeve të mirëkoordinuara midis policisë dhe doganës.
“Ky aksion i përbashkët, i cili ka zgjatur disa ditë, tregon se së bashku mund të veprojmë në interes të qytetarëve. Krimi nuk ka vend në shtetin tonë. Po veprojmë të koordinuar me Doganën në disa fusha dhe po dëshmojmë se mund të punojmë me vendosmëri dhe sukses për të parandaluar kriminalitetin. Maqedonia duhet të jetë në nivelin e vendeve të përparuara. Sistemi dhe ligjet duhet të mbizotërojnë. Po luftojmë kriminalitetin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet.”, tha drejtori Janev.
Nga ana tjetër, drejtori i Doganave, Boban Nikolovski, deklaroi:
“Drejtoria e Doganave arriti të gjurmojë dhe të ndalojë një kanal ndërkombëtar të trafikimit të drogës. Në një operacion të përbashkët me Byronë për Siguri Publike, në pikën kufitare Bogorodicë janë sekuestruar 188 kilogramë e 636 gramë marihuanë, e cila ishte destinuar për në Turqi.
Rasti është ndjekur për një kohë të gjatë dhe në fund rezultoi me sukses, duke zbuluar rrjetin kriminal që planifikonte të operonte në disa shtete.”
Të dyshuarit, dy shoferë – njëri nga Tetova dhe tjetri nga rajoni i Kumanovës – më 8 shkurt hynë në Maqedoni përmes pikës kufitare Bllacë me një kamion. Më 9 shkurt, njëri prej tyre mori përsëri kamionin dhe udhëtoi nga një lokacion midis Kumanovës dhe Kriva Pallankës drejt Bogorodicës.
Gjatë një kontrolli të detajuar në pikën kufitare, brenda katër ballave me letër të ricikluar të kompresuar u zbulua droga, me një vlerë të vlerësuar në tregun e zi prej 707 mijë eurosh.