Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të mërkurë, ka kërkuar nga FBI që të hetojë mënyrën se si janë shpenzuar fondet amerikane në Shqipëri.

“Në hierarkinë e shpërdorimit të fondeve të taksapaguesve amerikanë dhe pasurimit të elitave të ekstremit të majtë në vende të ndryshme të botës, Shqipëria është një rast flagrant. Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Blendi Çuçi dhe ish-bashkëjetuesja e kryeministrit Edi Rama, ka përfituar shuma të konsiderueshme përmes projekteve të USAID-it” deklaroi Berisha.

Sipas tij, këto fonde janë përdorur për të ndikuar në kapjen e sistemit të drejtësisë nga qeveria.

“Delina Fico dhe këshilltarët e saj ligjorë, përmes kompanisë së saj, kanë afruar shërbime për Gjykatën e Lartë dhe sistemin e drejtësisë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme rreth dhjetë milionë euro nga fondet e USAID-it. Madje, paga e saj është dy herë më e lartë se ajo e ambasadorit të SHBA në Shqipëri,” shtoi Berisha.

Ai i bëri thirrje FBI-së që të kryejë një hetim të thelluar për të zbardhur sipas tij shpërdorimet e fondeve në nivelet më të larta qeveritare.

“E kuptoj se censura ndaj këtyre abuzimeve është e fortë, por unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë, të cilat janë keqpërdorur në mënyrë të tmerrshme. Përgjegjës për këtë janë Edi Rama dhe Blendi Çuçi,” tha ai.

Duke kritikuar atë që e quajti kontroll politik mbi drejtësinë, Berisha u shpreh se “një prokurori e pavarur do të kishte nisur hetimet menjëherë mbi këto raste”.

Ai premtoi gjithashtu një auditim të plotë të fondeve me ndihmën e ekspertëve shqiptarë dhe amerikanë, duke garantuar se do të kërkohet mbajtja e përgjegjësisë ligjore.