Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizje Vetëvendosje në legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë se qëndrimi i LVV-së – e cila doli partia e parë në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit – në raport me koalicionet ka qenë i qartë – “qeverisim të vetëm”.
“Ende pa u certifikuar rezultati, pa u konfirmuar mandatet është shumë herët të flitet për çfarëdo mundësie bashkëpunimi në të ardhmen”, ka thënë ajo në një përgjigje për T7.
Kusari – Lila nuk ka dashur të komentojë deklaratat e kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili dha sinjale se mund të votojë qeverinë e ardhshme, e krijuar nga Albin Kurti.
“Nuk do të komentoja specifikisht deklaratatat e Limajt për arsye se ka të bëjë me një proces i cili është ende duke vazhduar, prandaj besoj deklarimet dhe komentet për to mund t’i bëjnë të tjerët”, shtoi ajo.
Limaj – partneri i koalicionit i AAK-së në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit – deklaroi se NISMA e AAK janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë.
“Duhet ta kuptojmë se ne jemi dy parti politike. Nuk e kemi të domosdoshme të votojmë njëjtë për çështje të ndryshme”, tha ai në një intervistë për RTV Dukagjini, duke lënë të hapur mundësinë që deputetët e Nismës Socialdemokrate mund të votojnë për formimin e qeverisë së ardhshme, në krye me Albin Kurti.
I pyetur se a ka vija të kuqe me ndonjërën nga partitë politike kryesore në vend, Limaj ka potencuar se në kontekstin e çështjeve nacionale, ai është i gatshëm të ulet në tavolinë me çdo parti.
“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna, për tema nacionale”, ka shtuar ai.
Gjatë intervistës, Limaj, ka bërë thirrje për bashkëpunim mes partive politike për të shmangur një krizë qeveritare pas zgjedhjeve, meqë në vlerësimin e tij vendi ka nevojë urgjente për një qeverisje stabile, duke marrë parasysh zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe rajonale.
“Rreth Kosovës janë duke ndodhur zhvillime të mëdha, bota po ndryshon më të madhe. Më shumë se kurrë Kosova ka nevojë me pas qeverisje. Po e shihini administratën e re në Amerikë, po e shihni çka po ndodh në Ukrainë. Kjo dinamikë rajonale, botërore, aleatët tanë sot janë në një situatë të rëndë”, ka shtuar ai.
Ai ka përsëritur se për tema nacionale është i gatshëm të ndihmojë çdo kryeministri, përfshirë edhe Albin Kurtin.