Minçev: Mexhiti të mos sillet si “Liza në Botën e Çudirave”, punësimet bëhen sipas nevojave dhe bazohen në cilësi

Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, i ka dërguar një mesazh zëvendëskryeministrit Mexhiti që të mos sillet si Liza në botën e çudirave, duke premtuar diçka që as nuk është reale dhe as e mundshme pa shkelur procedurat ligjore dhe parimet e qeverisjes së mirë – se brenda një viti do të punësohen mijëra shqiptarë në administratën shtetërore dhe publike.
Sipas Minçevit, deklarata e Mexhitit është një shembull klasik i populizmit parazgjedhor, pa asnjë bazë ligjore ose institucionale.
“Të gjitha punësimet në sektorin publik aktualisht zhvillohen ekskluzivisht sipas nevojave të institucioneve, bazuar në miratimet e mëparshme nga institucionet përkatëse dhe në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik dhe Ligjin për nëpunësit administrativë. Çdo punësim bazohet në parimet e kompetencës, profesionalizmit dhe përgatitjes profesionale të kandidatëve, dhe jo në premtime partiake apo presione politike,” thekson Minçev.
Sipas tij, punësimet dhe avancimet në sektorin publik duhet të bazohen ekskluzivisht në cilësinë dhe aftësitë e kandidatëve, dhe jo në përkatësinë e tyre etnike apo politike.
“Politika e punësimeve populiste jo vetëm që do të dëmtonte integritetin e administratës, por edhe do të rrezikonte reformat që synojnë krijimin e një administrate publike efikase, profesionale dhe të depolitizuar,” thuhet në reagimin me shkrim të Minçevit.
Ndërkohë, Mexhiti mbrëmë, në një tubim partiak në Shuto Orizare, deklaroi se brenda një viti qeveria do të realizojë më shumë punësime të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike sesa kanë bërë subjektet e tjera politike shqiptare gjatë dy mandateve të mëparshme.