Një pjesë e kredive tashmë janë aprovuar, ndërsa janë dorëzuar kërkesa deri në Bankën Zhvillimore për transferimin e mjeteve, tha sot ministrja e Financave, Gordana Dimitrioska Koçovska në lidhje me kredinë hungareze.
Pas takimit me përfaqësuesit e Lidhjes së Odave Ekonomike (LOE), ajo përsëriti se kompanitë të cilat do të investojnë në pajisje dhe prodhim kanë përparësi tek bankat.
Sipas LOE-s, kredia hungareze është një nga më të favorshmet dhe paraqet mbështetje modeste, por të madhe për firmat.
Në takimin e LOE-s, siç deklaroi ministrja dhe kryetari i Odës, Trajan Angelloski, është rënë dakord që biznesi të përgatisë listën e tarifave doganore për harmonizimin e tyre me ato evropiane.
“Kërkuam që të thjeshtësohen procedurat tatimore, ndërsa për normat doganore që duhet t’i harmonizojmë, kemi hasur në mirëkuptim të madh”, theksoi Angelloski në konferencën e përbashkët për media.
LOE-ja para ministres e përsëriti qëndrimin se taksa për solidaritet është vendosur në mënyrë të paarsyeshme, tha Angelloski dhe se duhet të kthehen mjetet nga ato që janë marrë, me kompensim të caktuar.
Dimitrioska Koçovska ishte e prerë se Qeveria nuk planifikon ndryshime në normat tatimore që të mos ketë përçarje në sektorin privat.
“Biznesi duhet të jetë i lirë të investojë dhe të ketë një mjedis të favorshëm biznesi”, theksoi ministrja