Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka zbuluar strategjinë e SPAK për goditjen e krimit zgjedhor, duke folur për zgjedhjet elektorale të 11 majit. Për të arritur këtë, Dumani tha se SPAK ka planifikuar ngritjen e grupeve hetimore në terren, që do të veprojnë duke u koordinuar dhe bashkëpunuar me KQZ, me Policinë e Shtetit dhe agjenci të tjera ligj zbatuese. Pas njoftimit paraprak të SPAK-ut për krijimin e grupeve hetimore në terren, reagoi kryeministri Edi Rama, i cili tha se “Nuk mund të survejohen partitë politike në fushatë zgjedhore”. Kreu i SPAK u bëri thirrje prokurorëve që të mos kenë frikë, për sa kohë janë në përmbushje të detyrimeve të tyre ligjore.

“Askush nuk duhet të ketë frikë sa kohë që është në përmbushje të detyrimeve ligjore kushtetuese. Ne jemi institucioni i ndjekjes penale dhe është detyrimi ynë kushtetues dhe ligjor që sa herë para nesh paraqitet një rast për t’u trajtuar si një fakt penal, ne jemi të detyruar të kryejmë të gjitha hetimet përkatëse për ngritjen e një akuze”, Altin Dumani, kreu i SPAK-ut.