Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Administratës Publike nga partia ZNAM, Goran Minçev, lidhur me punësimet e shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Në një postim publik, Izet Mexhiti e akuzoi Minçevin për përdorimin e një retorike të ngjashme me atë të liderit të Levicës, Dimitar Apasiev, dhe theksoi se përfaqësimi adekuat i shqiptarëve është një kategori kushtetuese që nuk mund të cenohet.

“Minçev të mos sillet si një kopje e Apasievit, sepse nuk i ngjajnë aspak njëri-tjetrit. Goran Minçev duhet ta braktisë retorikën e Dimitar Apasievit dhe të sillet si ministër i të gjithë qytetarëve në vendin tonë të përbashkët,” shkroi ai.

Izet Mexhiti potencoi gjithashtu vendimin e Qeverisë për transformimin e marrëdhënies së punës nga kontratë mbi vepër në punësim të përhershëm për rreth 1500 të punësuar në shëndetësi, nga të cilët 750 janë shqiptarë, duke shtuar se për këtë vendim janë krenarë.

Në fund të reagimit të tij, Izet Mexhiti dërgoi një mesazh të qartë për Minçevin dhe ata që kundërshtojnë përfaqësimin e shqiptarëve në institucione:

“Përfaqësimi adekuat i shqiptarëve në institucionet shtetërore është kategori kushtetuese, e pandryshueshme, e pakthyeshme, që respektohet dhe do të respektohet, i pëlqen kjo Minçevit ose jo!”