Rusia po përgatitet të shpallë fitoren në luftën kundër Ukrainës brenda pak ditësh, teksa tensionet ndërkombëtare rriten dhe debati mbi konfliktin përfshin edhe ish-presidentin amerikan, Donald Trump dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, raporton Dailymail, transmeton Klan Kosova.

Sipas Agjencisë Ushtarake të Inteligjencës së Ukrainës (GUR), presidenti rus Vladimir Putin synon ta paraqesë këtë shpallje jo vetëm si fitore ndaj Ukrainës, por edhe si një triumf ndaj NATO-s dhe Perëndimit.

“Rusia po përgatitet të shpallë një të ashtuquajtur ‘fitore’ më 24 shkurt 2025, në përvjetorin e tretë të fillimit të luftës në shkallë të gjerë”, thuhet në një deklaratë të GUR-it.

Sipas inteligjencës ukrainase, propaganda ruse synon ta prezantojë këtë veprim si disfatë për NATO-n, duke forcuar narrativën se konflikti nuk është vetëm një luftë kundër Ukrainës, por përballje më e gjerë me Perëndimin. Përvjetori i tretë i pushtimit rus të Ukrainës shënon një moment kyç në konfliktin që filloi më 24 shkurt 2022.

Tensionet mes dy vendeve datojnë që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti separatistët në rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Ky zhvillim ndodh në një kohë kur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës po intensifikohen.