Në kuadër të manifestimit “Çairi feston Nëntorin – 20 Vjet Krenari”, sonte në Teatrin Shqiptar në Shkup u mbajt koncerti “Skutacja e Cauces” i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve. Përmes një repertori të pasur artistik, këngëve dhe valleve tradicionale, ansambli solli para publikut vlerat e trashëgimisë muzikore dhe kulturore shqiptare.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, theksoi rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës shqiptare përmes organizimit të aktiviteteve që afirmojnë identitetin dhe trashëgiminë kombëtare.
“Kemi zgjedhur që Nëntorin ta festojmë me një kalendar të pasur ngjarjesh, ku arti dhe kultura shqiptare zënë vendin që meritojnë. Dhe festa vazhdon”, u shpreh kryetari Mexhiti.
Koncerti ishte pjesë e programit gjashtëditor të organizuar nga Komuna e Çairit në shënim të festave të Nëntorit dhe 20-vjetorit të vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në Shkup. Aktivitetet festive do të vazhdojnë deri më 28 Nëntor, duke kulmuar me manifestimin qendror “20 Vjet Krenari”, në orën 14:00, në Sheshin “Skënderbeu”.








