Ministria britanike e Mbrojtjes ka nisur kontaktimin e rreth 100 mijë rezervistëve strategjikë, në kuadër të përpjekjeve për të rritur gatishmërinë ushtarake të vendit përballë kërcënimeve në rritje ndaj sigurisë evropiane.

Sipas raportimeve të mediave britanike “The Telegraph” dhe “Sky News”, për herë të parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, autoritetet në Londër u kanë dërguar letra ish-ushtarakëve, duke u kërkuar të përditësojnë të dhënat e kontaktit, informacionet mbi punësimin dhe aftësitë e tyre profesionale.

Letrat, të nënshkruara nga drejtuesit e forcave tokësore, detare dhe ajrore, përmbajnë gjithashtu një ftesë për rezervistët që të marrin pjesë vullnetarisht në stërvitje ushtarake. Mes tyre është edhe ushtrimi i madh i NATO-s “Steadfast Defender”, i planifikuar për pranverën e vitit 2027.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Wes Streeting, e ka cilësuar këtë iniciativë si një masë të arsyeshme dhe të nevojshme parandaluese, duke theksuar se kontaktimi i ish-ushtarakëve nuk nënkupton se Britania po përgatitet për një mobilizim të menjëhershëm.

Megjithatë, Streeting ka paralajmëruar më herët se vendi duhet të jetë i përgatitur për mundësinë e një konflikti të armatosur brenda 1 000 ditëve dhe të ketë kapacitetet e nevojshme për të luftuar përkrah aleatëve të tij.

Nisma britanike vjen në një kohë tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe NATO-s, ndërsa vendet evropiane po rrisin investimet në mbrojtje dhe po rishikojnë planet e tyre të gatishmërisë ushtarake.

Kontaktimi i 100 mijë rezervistëve shihet si pjesë e përpjekjeve të Londrës për të pasur një pasqyrë të përditësuar të burimeve njerëzore dhe aftësive që mund të vihen në dispozicion në rast të një krize të sigurisë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume