Ardhja e administratës së re në krye të SHBA-ve pritet të sjell rezultate pozitive edhe në integrimin e RMV-së në Bashkimin Europian.

Kështu thotë kryeministri Mickoski i cili nuk fsheh faktin se RMV-ja ka qenë ndër vendet e para që ka mbështetur administratën e re të presidentit Trump, edhe para ardhjes së tij në këtë pozitë.

Sipas tij, ardhja e Trump në krye të SHBA-ve do të sjell një “normalitet të ri” i cili do të mbështetet nga e gjithë bota.

“Ngadalë, por sigurtë nga Uashingtoni në të gjithë botën do të fillojë të shpërndahet dhe do të qeverisë normaliteti i ri. Ishim ndër të parët që mbështetëm këtë normalitet dhe vlerësoj se ajo do të jetë masive në periudhën që vijon dhe do të merr mbështetje të madhe në të gjithë botën” – tha Mickoski.

Thotë se vendi jonë nuk ka çfarë të humb dhe se ndihma nga SHBA-të do të sjellë shumë benefite, sepse sipas tij, problemet me të cilat merret Bullgaria nuk kanë të bëjnë me këtë shekull.

“Vlerësoj se me kontaktet që i kemi me rrethin më të afërt të presidentit Trump, mund vetëm të fitojmë dhe jo edhe të humbim. Problemi bilateral që kemi me fqiun tonë, Bullgarinë, është problem që gjeneralisht nuk ka të bëjë fare me vlerat e shekullit XXI dhe vlerësoj sa më shpejtë që është e mundur, ne si shtet t’i fillojmë edhe formalisht bisedimet me Bashkimin Europian, që janë edhe pjesë e këtij problemi bilateral” – tha Mickoski.

Mbështetjen për administratën e re të Trump, kryeministri nuk e ka fshehur edhe gjatë vizitës së tij në Uashington, ku gjatë një panel-diskutimi në Konferencën e Konzervatorëve kishte folur me superlativa për presidentin Trump dhe administratën e tij.