Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2024 janë regjistruar 144 viktima në aksidente trafiku në Rajonin e Tetovës dhe Gostivarit, të cilët mbulohen administrativisht nga SPB Tetovë.

Në Rajonin e Tetovës, përkatësisht në Komunën e Tetovës dhe pesë komunat rurale përreth, kanë humbur jetën 81 persona, ndërsa në Rajonin e Gostivarit, përkatësisht në Komunën e Gostivarit dhe tri komunat rurale përreth, kanë humbur jetën 63 persona. Nga gjithsej 144 viktima, 34 ishin këmbësorë, 22 në Tetovë dhe 12 në Gostivar. Viti më tragjik ishte 2016, me gjithsej 25 viktima, ndërsa në vitin 2023 u regjistrua numri më i vogël i viktimave, me 4 të vdekur, ku 1 në Rajonin e Tetovës dhe 3 në Rajonin e Gostivarit. Në vitin 2023 nuk ka pasur viktima këmbësorë, informoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Sipas të dhënave nga Enti i Statistikave të Shtetit, nga viti 2001 deri në fund të vitit 2023, në Maqedoninë e Veriut në aksidente trafiku kanë humbur jetën 3.353 persona, nga të cilët 818 ishin këmbësorë.