Së paku tre persona vdiqën dhe gjashtë të tjerë u lënduan të martën pas një shembjeje që ndodhi në një pjesë të një autostrade në ndërtim në jug të kryeqytetit Seul, thanë zjarrfikësit.

Aksidenti ndodhi pak para orës 10 të paradites në Anseong, rreth 70 kilometra larg Seulit, kur pesë struktura 50-metërshe të çelikut, të cilat po e mbështesnin urën e autostradës, u rrëzuan njëra pas tjetrës pasi ishin vendosur në vend me anë të një vinçi, raportoi agjencia e lajmeve “Yonhap”.

Agjencia Kombëtare e Zjarreve tha se tre persona kishin vdekur e gjashtë të tjerë ishin lënduar, përfshirë pesë që ishin në gjendje kritike, përcjell agjencia e lajmeve “Reuters”.

Autoritetet ishin gjithashtu duke kërkuar një person tjetër që besohej se ishte i ngujuar nën rrënoja, sipas kësaj agjencie.

Presidenti në detyrë, Choi Sang-mok, bëri thirrje për mobilizimin e tërë personelit dhe burimeve për të shpëtuar cilindo person të zhdukur dhe për të garantuar masa të sigurisë që të parandalohet dëmi i mëtejmë, tha zyra e tij.