Federata e Skive të Maqedonisë njoftoi se në Kodrën e Diellit janë kryer të gjitha përgatitjet për edicionin e 41-të të Kupës së Sharrit. Gara më e vjetër në garat me ski, pas një pauze 12-vjeçare, do të mbahet edhe këtë vit të mërkurën dhe të enjten, më 26 dhe 27 shkurt.

“Të mërkurën me fillim nga ora 09:30 do të zhvillohet gara e parë e sllallomit për meshkuj, ndërsa e dyta fillon në ora 12:00. Ditën e nesërme, e enjte, më 27 shkurt, me fillim nga ora 09:00 do të zhvillohet gara e parë e sllallomit për femra, ndërsa e dyta do të fillojë në orën 11:30. Shpatet me borë të Kodrës së Diellit do të jenë skena e garave emocionuese të sllallomit për meshkuj dhe femra. Për titullin prestigjioz do të garojnë garues nga Maqedonia, Serbia, Bullgaria, Turqia, Kroacia, Mali i Zi, Greqia, Kosova dhe Qiproja”, lajmërojnë drejtuesit e Federatës së Skive të Maqedonisë.

Kupa e Sharit u mbajt për herë të parë në vitin 1947 dhe që nga viti 1954 është pjesë e kalendarit të Federatës Ndërkombëtare të Skive (FIS).