Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka lëshuar një deklaratë pas vendimit të Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës të shpallur dje kundër presidentit të Republikës Srpska (RS), Milorad Dodik.

“Ne e njohim vendimin e Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës kundër presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik,” deklaroi zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tami Bruce.

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës të mërkurën dënoi Milorad Dodikun me një vit burg dhe ndalimin për gjashtë vjet nga ushtrimi i funksionit si president i Republikës Srpska, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë në BiH.

“Ne kundërshtojmë fuqishëm çdo veprim të liderëve lokalë që mund të minojnë sigurinë dhe stabilitetin. Mbështesim Marrëveshjen e Dejtonit si dhe sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës,” tha Bruce.

Dodik nuk ishte i pranishëm në seancën e shpalljes së vendimit. Në vend të kësaj, ai iu drejtua mbështetësve të tij në një tubim në Banja Luka, duke fyer gjyqësorin në BiH, përfaqësuesin e lartë Christian Schmidt, si dhe autoritetet gjermane dhe amerikane.

Ai paralajmëroi se RS do të miratojë ligje për ndalimin e institucioneve gjyqësore dhe të sigurisë së BiH në territorin e Republikës Srpska.