Kryeministri Hristijan Mickoski sot, në seancën e Kuvendit të dedikuar për pyetjet e deputetëve, iu përgjigj pyetjes së deputetes Sllavjanka Petrovska nga LSDM, e cila kishte të bëjë me votimin e rezolutës për Ukrainën në Kombet e Bashkuara.

“Vendimi ishte i tillë, sepse kishim zgjedhjen ose të rreshtoheshim ndër të parët së bashku me partnerin tonë strategjik, SHBA-në, ose të mbështesnim qëndrimin e përbashkët të Bashkimit Evropian. Kur pamë se në Bashkimin Evropian nuk kishte një qëndrim të përbashkët për rezolutën, atëherë ishte logjike të mbështesnim rezolutën e propozuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” – deklaroi kryeministri Mickoski dhe theksoi: “Në Këshillin e Sigurimit ka vende anëtare të përhershme dhe vende anëtare që ndryshojnë. Pyetja është pse ato vende anëtare, të përhershme apo të përkohshme, që janë pjesë e BE-së, nuk e bllokuan miratimin e rezolutës së SHBA-së?! Pse nuk votuan kundër?”

Kryeministri Mickoski shtoi se të njëjtat vende anëtare do të vizitojnë Uashingtonin në periudhën e ardhshme me qëllim arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Në fund të atij procesi do të ketë rezolutë që do t’i ngjajë asaj të Amerikës, rezolutë për të cilën ne si shtet jemi bashkësponsorë dhe që do të mbështetet nga të gjithë.

Mickoski tha se Maqedonia, në koordinim të plotë me SHBA-në, votoi e përmbajtur për rezolutën e ndryshuar që më parë kishte kaluar në Këshillin e Sigurisë.

“Shoh që sot e gjithë bota flet për paqen në Ukrainë. Nëse flasim për paqen në Ukrainë dhe nuk kemi standarde të dyfishta, atëherë të punojmë për paqen. Si arrihet paqja? Ulet, bisedohet dhe negociohet. Shpallet armëpushimi nga të dyja palët dhe ulet në tryezën e bisedimeve. Kjo është mënyra për të arritur paqen dhe duhet të diskutohet deri në momentin kur paqja të arrihet. Me veprime ushtarake në terren, me viktima dhe të zhvendosur, nuk arrihet paqe. Pikërisht për këtë flet rezoluta e SHBA-së,” – tha Mickoski.

“Shihni se çfarë do të ndodhë për disa muaj. Nëse unë gaboj, jam i gatshëm të kërkoj falje, por nëse ndodh ashtu siç po ju them, atëherë do të duhet një konferencë e re për shtyp nga kryetari juaj, vetëm këtë herë mos e ‘lani’, tregojini realisht gjërat dhe të kërkoni falje,” – i tha Mickoski deputetes së LSDM-së, Sllavjanka Petrovska.