Kërcënimet e fundit të Trump për tarifat e BE-së kanë kontribuar ndjeshëm në përshkallëzimin e tensioneve tregtare globale, pasi presidenti i SHBA planifikon gjithashtu të vendosë tarifa ndaj partnerëve kryesorë tregtarë si Kanadaja dhe Meksika.

Presidenti amerikan Donald Trump zbuloi në një takim të kabinetit të mërkurën se ai po planifikon të vendosë tarifa 25% për mallrat e importuara në SHBA nga blloku.

“Ne do ta shpallim shumë shpejt. Do të jetë 25% në përgjithësi dhe do të jetë për makinat dhe të gjitha gjërat e tjera… Bashkimi Evropian u formua për të prishur Shtetet e Bashkuara, ky është qëllimi i tij dhe ata kanë bërë një punë të mirë për këtë. Por tani unë jam president”,-tha Trump.

Aksionet evropiane ishin të dobëta të enjten në mëngjes, me indeksin STOXX 600 që ra 0.7% me hapjen e tregut. Indeksi gjerman DAX 40 gjithashtu ra të enjten në mëngjes, me 0.6%, me indeksin francez CAC 40 që gjithashtu ra me 0.6%. FTSE 100 i Britanisë ishte kryesisht i sheshtë.

Aksionet e makinave luksoze gjithashtu u zvogëluan, me BMW që ra 1.9% dhe Porsche me 2.3%. Çmimi i aksionit të Audi u ul me 2.5% edhe të enjten në mëngjes. Çmimi i aksionit të Tesla-s pa një rënie më të theksuar, duke e nisur ditën me 4% më të ulët.

Ferrari ishte 4.9% poshtë në mbylljen e tregut të mërkurën gjithashtu.

Nga ana tjetër, çmimi i aksionit të Mercedes-Benz u rrit me 1.6% mëngjesin e së enjtes.

Trendi më i dobët preku edhe kompanitë e makinave të rangut të mesëm, me Volkswagen duke rënë 2.3% dhe Volvo Car AB gjithashtu duke humbur 2.1%. Stellantis ra me 5.3% në mbylljen e tregut të mërkurën ndërsa Ford pa një rënie të lehtë prej 0.4% të enjten në mëngjes.