GASHI ME EURODEPUTETËT E KOMITETIT TË PËRBASHKËT PARLAMENTAR
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, realizoi takim me eurodeputetët që morën pjesë në Takimin e 23-të të Komitetit të Përbashkët Parlamentar Maqedonia e Veriut – Bashkimi Evropian.
Delegacioni, i udhëhequr nga eurodeputeti kroat Karlo Resler, bashkëkryesues i këtij komiteti të përbashkët, përbëhet nga 13 deputetë nga pothuajse të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Parlamentin Evropian, duke përfshirë edhe Tomas Vajcin, referues për Republikën e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian. Në takim mori pjesë edhe Mihalis Rokas, ambasador dhe shef i Delegacionit të BE-së në vend.
Bashkëbiseduesit e përshëndetën mbajtjen e takimit të parë të Komitetit të Përbashkët Parlamentar pas zgjedhjeve, si për Kuvendin, ashtu edhe për Parlamentin Evropian dhe shpresojnë se bashkëpunimi i përbashkët do të vazhdojë me të njëjtën dinamikë dhe intensitet edhe në periudhën e ardhshme.
Kryetari Gashi theksoi se integrimi në BE mbetet prioritet i lartë strategjik, si për Qeverinë, ashtu edhe për Kuvendin dhe shpreson se mbështetja e fuqishme që vjen nga shumica e madhe në Parlamentin Evropian për aspiratat tona për anëtarësim të plotfuqishëm në Bashkimin Evropian do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Eurodeputetët theksuan se për momentin ekziston një dritare mundësie për zgjerimin e Bashkimit Evropian që duhet shfrytëzuar, si dhe informuan se Parlamenti Evropian ka prioritet forcimin e bashkëpunimit me parlamentet e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Në fund, bashkëbiseduesit shprehën besimin se puna dyditore e Komitetit të Përbashkët Parlamentar do të rezultojë me miratimin e rekomandimeve të përbashkëta që do t’i paraqes në mënyrë të balancuar dhe objektive të gjitha aspektet e marrëdhënieve ndërmjet vendit dhe Bashkimit Evropian.