Shërbimi sekret rus ka zbuluar një plan të inteligjencës ushtarake të Ukrainës për të vrarë një prift të lartë në Kishën Ortodokse të Rusisë. Sipas një deklarate të lëshuar nga FSB, operacioni i zhvilluar çoi në arrestimin e një shtetasi rus dhe një ukrainasi, të cilët dyshohet se kishin planifikuar vrasjen e metropolitit Tikhon Shevkunov. Sipas autoriteteve ruse vrasja ishte planbifikuar të bëhej me mjet shpërthyes në Moskë.

Shevkunov është një figurë e njohur dhe shumë e respektuar në Rusi, me një lidhje të ngushtë me presidentin Vladimir Putin që nga fundi i viteve 1990. Ai është përshkruar shpesh në median ruse si prifti personal i Putinit, ku rrëfehet presidenti rus.

Në vitin 2023, Shevkunov u emërua metropolit i Krimesë, duke u bërë një nga zyrtarët më të lartë të Kishës Ortodokse Ruse në gadishullin që Rusia e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.

FSB-ja ka njoftuar se gjatë operacionit janë konfiskuar mjete shpërthyese të improvizuara dhe se të dy të dyshuarit kanë pranuar përfshirjen e tyre në komplot. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet ukrainase lidhur me këtë akuzë.