Besimtarët myslimanë sot herët në mëngjes kanë filluar agjërimin e Ramazanit, i cili zgjat 29 ditë dhe përfundon më 30 mars. Gjatë agjërimit, besimtarët abstenojnë nga ngrënia dhe pirja nga lindja deri në perëndim të diellit.

Mbrëmë dhe gjatë ditëve në vijim të Ramazanit, pas orës 19.00, të gjitha rrugët çojnë drejt Xhamive.

Mbrëmë nisi të falet Namazi i Teravisë dhe kështu do të jetë deri në përfundimin e Muajit të Bekuar të Ramazanit.

Xhamitë janë zbukuar dhe kanë marrë pamje mahnitëse. Kështu duket Xhamia “Isa Beu” në Shkup e zbukuruar dhe dekoruar enkas për Muajin e Shenjtë të Ramazanit.

Mirëseardhje Ramazanit i kanë uruar edhe shumë qytete e vendbanime në vendin tonë.

Në këtë drejtim, duket se Gostivari prinë me zbukurimet dhe dekorimet për të nderuar këtë muaj të shenjtë. Fatkeqësisht, ky shembull nuk është ndjekur nga qytete sikurse Shkupi e Tetova.

Por, në Kumanovë, ardhja e Ramazanit u festua me fishekzjarre…

Pamje tjera mahnitëse mbërrijnë edhe nga fshati Kallnik i Tetovës…

Por, jo vetëm kaq! Edhe metropolet botërore kanë mirëpritur Ramazanin.

Kryebashkiaku i Londrës, Sadik Khan, ka ndezur dritat e Ramazanit dhe duke uruar këtë Muaj të shenjtë ka bërë thirrje që të ndalet islamophobia.

Urime kanë mbërritur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm I OKB-së, Antonio Guteresh, por edhe shumë liderë tjerë botëror të cilët kanë dërguar mesazhe paqeje dhe solidariteti.

Sipas fesë islame, Ramazani është muaji kur ajetet e para të Kuranit iu shpallën Profetit Muhamed para më shumë se 1.400 viteve.

Agjërimi, i cili është një nga shtyllat e Islamit, është obligim për të gjithë besimtarët për pastrimin e tyre fizik dhe shpirtëror. Besimtarët duhet të përmbahen nga fjalët dhe veprat e liga me qëllim të pastrimit të përgjithshëm njerëzor. Agjërimi është obligim fetar për çdo besimtar mysliman të rritur, të shëndoshë, por nuk është i detyrueshëm për të sëmurët, gratë shtatzëna dhe punëtorët që kryejnë punë të rënda fizike. /tvklan.mk