“Ramazani vjen bashkë me paqe e gëzim në zemrat dhe familjet e besimtarëve myslimanë” – nis urimi për këtë muaj të shenjtë nga Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.

“Le të shfrytëzojmë këtë muaj të shenjtë për të agjëruar edhe nga fjalët, sjelljet e mendimet e padenja. Uroj që ky muaj i Ramazanit të sjellë lartësim shpirtëror, paqe të brendshme dhe gëzime në familjet tuaja” -thuhet në urimin e Kryeparlamentarit Gashi.

Një urim ndryshe mbërrin nga Zv/Kryeministri, Izet Mexhiti. Mbase i impresionuar nga bukuritë e Stambollit gjatë Ramazanit, Mexhiti uroi besimtarët para Xhamisë “Sulltan Ahmet”.

Ky muaj është një mundësi e çmuar për t’u afruar më shumë me vlerat shpirtërore, për të forcuar solidaritetin dhe për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë – thuhet në mesazhin e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti.

“Uroj që ky muaj i shenjtë të sjellë shëndet, harmoni dhe unitet për të gjithë ne. Le të shfrytëzojmë këtë kohë për të pastruar shpirtin dhe mendjen, për të forcuar lidhjet tona me njëri-tjetrin dhe për të kontribuar në mirëqenien e shoqërisë sonë” – thuhet në urimin e Ali Ahmetit.

Muajin e bekuar të Ramazanit e ka uruar edhe kreu i ASH-së, Ziadin Sela.

“Uroj që secili nga ju të hyjë në këtë muaj e ta kalojë atë me shëndet, harmoni në familje e begati në shtëpitë tuaja. Le të sundojë çiltërsia në shpirtërat tanë, dashuria në raportet mes nesh dhe mëshira e begatitë e Zotit mbi të gjitha” – thuhet në mesazhin e Selës.

Në emrin e tij personal por edhe të PDSH-së, këtë muaj të bekuar e ka uruar edhe Menduh Thaçi.

“Uroj që agjërimi, lutjet dhe të gjitha adhurimet tuaja gjatë këtij muaji të jenë të pranuara, t’ju sjellë shëndet, paqe dhe mirëqenie në familjet tuaja” – thuhet në mesazhin e Thaçit.

Por, ka pasur të tillë Ramazanin e kanë uruar përmes video-mesazhit. Një urim i tillë vjen nga kreu I Alternativës, Zeqirija Ibraimi.

“Agjërimi, përtej një riti fizik, është një përkushtim shpirtëror, një kontemplim dhe meditim, që – përmes kufizimit të ushqimit – synon t’i shlyejë kufijtë e kësobotshëm dhe arritjen e lirisë së pakufishme shpirtërore,” ka theksuar Ibrahimi.

Mbase një urim origjinal ka mbërritur nga Bujar Osmani i BDI-së. Ai së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijtë ka uruar besimtarët për Muajin e Bekuar të Ramazanit, duke e quajtur një moment të veçantë për familjet tona, për shoqërinë tonë, për të reflektuar dhe për të ndihmuar njëri-tjetrin.

“Për familjen tonë është I veçantë ky Ramazan meqë Eliza dhe Mali do të tentojnë të agjërojnë aq sa munden.

Mal?

Po do ta provoj.

Eliza?

Aq sa mundem.

Luani do presë edhe disa vite para se të fillojë të agjërojë.

Agjërim të lehtë. Zoti ua pranoftë lutjet!