Ministri i Punëve të Brendshme zhvilloi sot një vizitë pune në Tetovë, ku u takua me përfaqësues të SPB Tetovë dhe Komunës së Tetovës. Gjatë takimeve, ai theksoi rëndësinë e projektit “Qytet i Sigurt”, i cili do të zbatohet në fazën e parë edhe në Tetovë dhe Kumanovë, përveç Shkupit.
Në fokus të vizitës ishte gjendja aktuale e trafikut në qytet dhe masat që do të ndërmerren për të përmirësuar sigurinë rrugore. Ministri theksoi se kontrollet e shtuara të policisë gjatë dy muajve të fundit kanë ndihmuar në uljen e aksidenteve me lëndime të rënda trupore me rreth 50%.
Gjithashtu, ai paralajmëroi një plan të ri aksionar që do të nisë nga java e ardhshme, në bashkëpunim me komunën dhe shërbimin e karotrecit, për të zgjidhur problemin e parkimeve të gabuara dhe ndalimeve të automjeteve në rrugët kryesore të Tetovës. Ministri nënvizoi se qëllimi nuk është ndëshkimi i shoferëve, por parandalimi dhe funksionalizimi më i mirë i rrugëve të qytetit.
Në përfundim, ai siguroi qytetarët se aksioni i ri do të ketë rezultate pozitive dhe do të ndihmojë në krijimin e një trafiku më të sigurt për të gjithë banorët e Tetovës.