Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të dielën se SHBA do të krijonte një rezervë kriptovalutash, gjë që ka nxitur rritje të çmimit të tyre.

Sipas mediave të huaja, çmimi i Bitcoin “u hodh” në 94,000 dollarë që nga pasditja e së dielës, duke arritur deri në 95,136 dollarë.

“Një rezervë e kriptove të SHBA-së do ta lartësojë këtë industri kritike pas vitesh sulmesh korruptive nga administrata e (Joe) Biden, për çka Urdhri im Ekzekutiv mbi Asetet Dixhitale e udhëzoi Grupin e Punës Presidenciale të ecë përpara në një Rezervë Strategjike Kripto që përfshin XRP, SOL dhe ADA”, ka shkruar Trump në Truth Social.

Trump tha se do t’i bëjë Shtetet e Bashkuara “kryeqytetin kripto të botës”.

Njoftimi i tij vjen menjëherë pasi Shtëpia e Bardhë njoftoi se do të mirëpresë profesionistët e industrisë së kriptomonedhave më 7 mars në një samit të parë të këtij lloji.

Pjesëmarrësit do të përfshijnë themelues, CEO dhe investitorë nga industria.

Grupi i punës për asetet dixhitale të Trump ka një afat prej gjashtë muajsh për të paraqitur rekomandime mbi propozimet rregullatore dhe legjislative tek presidenti.

Është e paqartë se si do të dukej saktësisht rezerva e kriptove të Trump.

Deklarata e tij vjen menjëherë pasi mediat raportuan se Bitcoin ka regjistruar humbjen e tij më të madhe mujore që nga qershori i vitit 2022, pasi euforia mbi kriptovalutat u zbeh pas fitores së Donald Trump në SHBA.

Çmimi i bitcoin ra me 17.5% në shkurt, rënia më e madhe mujore që nga qershori 2022 dhe muaji i tij i 11-të më i keq në dekadën e fundit, pasi ndjenja negative mbërtheu tregjet financiare.