Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për sot në orën 10:00, ka urdhër që të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës për intervistim.
Kjo në cilësinë e dëshmitarit, për rastin e rezervës shtetërore.
Urdhrin e lëshuar nga Gjykata e kishte konfirmuar zëdhënësja, Mirlinda Gashi.
“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, me Urdhër të gjykatës të datës 21.02.2025 ka obliguar dëshmitarin A.K. që të paraqitet në cilësi të dëshmitarit, për të dhënë dëshminë e tij me datë 04.03.2025 në ora 10:00, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, ka thënë Gashi
Megjithatë, për sot, në orën e njëjtë, Kurti ka agjendë në Gjilan. Ai pritet të marrë pjesë në hedhjen e gurthemelit për ndërtimin e një çerdheje atje.
Kështu ka njoftuar Ministria e Arsimit.
“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni do të vendosin gurëthemelin e çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurëthemelit bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në agjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MAShT-it.
Kurti deri më tash ka refuzuar të intervistohet në objektin e Prokurorisë Speciale. Ai i ka ftuar prokurorët që të shkojnë në zyrën e tij për ta intervistuar.
Në një letër që ia ka shkruar Gjykatës, Kurti thotë se ftesa e Prokurorisë është politike.
“Natyra politike e ftesës – Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar. Andaj, për qëllim të kthimit të besimit të publikut në institucionet e pavarura e të paanshme të drejtësisë, ashtu si dëshiron ta shohë çdo qytetar i Republikës së Kosovës e edhe Kryeministri Kurti, Gjykata e nderuar duhet të shqyrtojë çdo detaj të ndërlidhur me ftesën e Prokurorisë dhe të veprojë duke u bazuar në rrethanat e rastit, qysh e kërkon legjislacioni në fuqi dhe gjykimi i paanshëm i një gjyqtari të drejtë. Prandaj, për të shmangur manipulimet politike dhe spekulimet e panevojshme, Kryeministri ka kërkuar një format të qartë dhe të drejtpërdrejtë të bashkëpunimit”, thuhej në letrën e Kurtit.