Me rastin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, tregoi arsyen e mosbashkëpunimit me Qeverinë.

“Ne si organizata kemi menduar që mos t’i fyejmë dëshmorët. Ne jemi për institucione, ne i çmojmë institucionet, por brenda kësaj Qeverie ka njerëz anti-UÇK të cilët e kanë fyer luftën dhe kanë tentuar ta njollosin dhe kanë bashkëpunuar me Gjykatën Speciale ku sot padrejtësisht i kemi krerët e UÇK-së”, tha Jashari.

Jashari tha se fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre.

“Përveç organizatës, do të ishte fyerje për familjarët e mi që i kam dëshmorë nëse bëj homazhe me ministren e Punëve të Jashtme e cila është deklaruar se ka deponuar dëshmi kundër krerëve të UÇK-së. Për neve është fyerje nëse bëjmë homazhe me ministrin Hekuran Murati i cili ka deklaruar se më mirë e më lehtë do të dilnim nëse paguanim mercenarë. Fyerja më e madhe është kur Mimoza Kusari-Lila kërkon ndihmë nga Lista serbe për t’i goditur veteranët nga e drejta e tyre”, u shpreh Jashari./EO