Ministria e Vetëqeverisjes Lokale vazhdon vizitat në terren në komunat në kuadër të fushatës “Ku zemra është në shtëpi”. Sot, ministri Zllatko Përinski, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministrin e Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, ishin në Komunën Kisella Vodë, ku do të realizohen katër projekte të financuara nga buxheti shtetëror, të miratuara nga thirrja e parë publike për mbështetje financiare të komunave. Përfaqësuesit qeveritarë, së bashku me kryetarin e komunës, Orce Gjorgjievski, vizituan shtratin e lumit “Mala Rada” në Draçevë, për të cilin është duke u përgatitur projekti për rikonstruksion dhe sanim të shtratit ekzistues të betonit dhe mureve mbajtëse.
Ministri Përinski theksoi se Qeveria vazhdon mbështetjen për vetëqeverisjen lokale, duke paralajmëruar investime të rëndësishme në Komunën e Kisella Vodës, përfshirë rregullimin e shtratit të lumit “Mala Rada”, që do të parandalojë përmbytjet e ardhshme dhe do të kontribuojë në zhvillimin ekonomik.
“Qeveria vazhdon përkushtimin e saj për të mbështetur të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale, me qëllim për të ndihmuar dhe për të përmirësuar jetën e të gjithë bashkëqytetarëve tanë. Sot jemi në Komunën Kisella Vodës, në lagjen Draçevë, ku praktikisht po fillojmë aktivitetet ndërtimore për ndërtimin dhe rregullimin e shtratit të lumit ‘Mala Rada’. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për qytetarët që jetojnë në këtë zonë të komunës, sepse në dekadat e kaluara, pasuritë e tyre ishin të rrezikuara nga vërshimet e lumit. Të gjitha këto probleme që ndodhën në të kaluarën do të parandalohen me këtë ndërhyrje ndërtimore dhe në të ardhmen nuk do të kemi situata të tilla të padëshiruara. Për t’u përgëzuar është angazhimi i Qeverisë, e cila përmes thirrjes së parë publike ndau rreth 160 milionë denarë për Komunën Kisella Vodë, ndërsa në thirrjen e dytë janë planifikuar mbi 8 milionë euro. Kjo do të thotë se, përveç një zhvillimi të madh ndërtimor që do të përjetojë komuna, do të ketë edhe një ndikim të madh ekonomik. Praktikisht, këto janë edhe qëllimet e kësaj Qeverie – nga njëra anë të stimulojë ekonominë, ndërsa nga ana tjetër të përmirësojë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët tanë,” deklaroi Përinski.
Kryeministri Hristijan Mickoski, gjatë vizitës në Kisella Vodë, theksoi se investimet në komuna janë thelbësore për zhvillimin e komunitetit lokal, duke nënvizuar përkushtimin e Qeverisë për realizimin e projekteve me vlerë qindra milionë euro.
“Më vjen shumë mirë që sot jam këtu me banorët e Kisella Vodë. Gjithmonë kur ndërtohet dhe krijohet diçka e re, ndjenjat e gëzimit dhe lumturisë janë të pashmangshme. Dua të përgëzoj kryetarin e komunës, këshilltarët dhe administratën, t’u falënderoj kolegët e mi nga Qeveria, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Mjedisit Jetësor, ministrin e Vetëqeverisjes Lokale dhe zëvendësin e tij, si dhe deputetët e këtij rajoni, për angazhimin dhe dëshirën e tyre për të realizuar sa më shumë projekte. Dua t’u uroj të vazhdojnë në të njëjtën mënyrë edhe në të ardhmen. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor theksuan se 350 milionë euro tashmë janë në qarkullim, por unë do të shtoja se, me iniciativën dhe angazhimin e tij, projekte që më parë ishin bllokuar nga ish-ministrat, tani janë zhbllokuar. Këtu flasim për shtesë qindra milionë euro, të cilat do të ndahen për komunat përmes Ministrisë së Mjedisit Jetësor. Në këtë mënyrë, arrijmë në një shumë prej gjysmë miliardë eurosh, diçka historikisht e rëndësishme dhe që deri tani ishte e pamundur, por tani po ndodh,” tha Mickoski.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, tha se qeveria e re po punon në përmirësimin e decentralizimit, duke paralajmëruar zbatimin e rregullt të projekteve të reja me mbështetje prej 350 milionë eurosh për komunat.
“Ata që nuk besonin, do të mund të shohin se çdo dy-tre ditë do të hapen projekte të reja, sepse qeveria e re po korrigjon disa gabime nga e kaluara, pasi decentralizimi ishte në një nivel shumë të ulët në vend. Në të kaluarën, edhe kur kryetarët e komunave kishin ide dhe projekte, nuk kishin buxhet për t’i realizuar ato. Shuma prej 350 milionë eurosh nga thirrja e re publike është dedikuar pikërisht për projekte të tilla që zgjidhin problemet konkrete të qytetarëve. Qeveria nuk vendos se ku do të drejtohen këto fonde, por këtë e bën në koordinim me kryetarët e komunave dhe këshillat komunalë, të cilët së bashku vendosin se cilat projekte do të financohen,” tha Mexhiti.
Kryetari i Komunës Kisella Vodë, Orce Gjorgjievski, theksoi se me mbështetjen e Qeverisë ka nisur rregullimi i shtratit të lumit, një kërkesë shumëvjeçare e qytetarëve, me një investim prej 30 milionë eurosh, çka do të parandalojë përmbytjet e mundshme dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës në rajon.
“E informuam kryeministrin për rëndësinë e këtij projekti dhe për kërkesën shumëvjeçare të bashkëqytetarëve tanë nga ky rajon. Bëhet fjalë për një shtrat lumi, të cilin qytetarët kërkonin prej vitesh që të rregullohej, sepse në këtë zonë me gjatësi 2.5 kilometra dhe një investim prej 30 milionë eurosh nga Qeveria, në të kaluarën ishte një zonë e ndotur me mbeturina dhe shpesh herë përmbytjet shkaktonin dëme të mëdha nëpër shtëpi dhe rrezikonin qytetarët. E gjithë kjo tani i përket së kaluarës, falë Qeverisë, sepse sot kemi filluar me rregullimin e këtij shtrati të lumit. Si pjesë e projektit, kemi aplikuar në Qeveri edhe për një projekt shtesë – krijimin e një shtegu për këmbësorë me pajisje urbane dhe ndriçim të plotë. Gjithashtu, jemi në fazën e realizimit të një projekti tjetër të rëndësishëm kapital – rikonstruimi i rrugës ‘Gjorgji Dimitrov’ në Kisella Vodë, si dhe në fazën finale të tenderit për zgjedhjen e kontraktorit më të favorshëm për zgjerimin e shkollës fillore ‘Kiril Pejçinoviq’ në Kisella Vodë,” informoi Gjorgjievski.