Këto janë pamjet katastrofike nga përmbytjet e shkaktuara nga stuhitë dhe reshjet e dendura të shiut në qytetin portual Bahia Blanca në Argjentinë. Autoritetet njoftojnë se të paktën 13 persona kanë vdekur nga përmbytjet. Zyrtarët e bashkisë së qytetit me 350 mijë banorë deklaruan se numri i viktimave mund të jetë më i lartë, pasi rezultojnë të paktën 100 persona të zhdukur, ku në mesin e tyre ka edhe fëmijë.

Rrugët dhe urat u shkatërruan dhe shiu i rrëmbyeshëm detyroi më shumë se 1200 banorë të braktisin shtëpitë e tyre dhe zona të mëdha të qytetit kanë mbetur pa energji elektrike.

Të Premten ranë më shumë se 400 mm shi në Bahía Blanca, që është një e treta e reshjeve mesatare totale çdo vit. Autoritetet thanë se do akordojnë 9 milionë dollar për rindërtimin e qytetit. Edhe në anën tjetër të globit, në shtetin Queensland të Australisë mijëra njerëz u përballen me një situatë të pazakontë nga reshjet e shiut të shkaktuar nga cikloni “Alfred”.

Të Shtunën, një person humbi jetën nga përmbytjet në veri të New Wales ndërsa ka edhe disa të plagosur. Rreth 316 mijë njerëz ishin pa energji elektrike në juglindje të Queensland ndërsa qyteti i Gold Coast është zona më e goditur. Kryeministri Anthony Albanese tha se situata në Queensland dhe në veri të Neë Wales mbetet shumë serioze për shkak të përmbytjeve dhe erërave të forta.