Kreu i diplomacisë amerikane, Marco Rubio, ka mbërritur në Arabinë Saudite për bisedime me homologun e tij ukrainas, vetëm disa ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vendosi të ndërpresë ndihmën ushtarake për Kievin.

Rubio do të qëndrojë në Jeddah deri të mërkurën për të “punuar në realizimin e objektivit të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës”, tha Departamenti i Shtetit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjithashtu ka njoftuar se do të jetë në Jeddah, ashtu si dhe i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff.

Më herët, në shkurt, Rubio u takua me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, në takimin e parë të zyrtarëve të atij niveli që nga pushtimi rus i Ukrainës tre vjet më parë.

Pas një përplasjeje verbale midis Trump-it dhe Zelensky-t në Shtëpinë e Bardhë në fund të shkurtit, e cila simbolizoi ndryshimin diplomatik në Washington, SHBA pezulloi ndihmën ushtarake kyçe për Kievin, si dhe shkëmbimin e informacioneve të inteligjencës.

Trump dhe Zelensky nuk e nënshkruan marrëveshjen e shumëpritur për burimet minerare të Ukrainës. Javën e kaluar, negociatori amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg, deklaroi se ndihma ushtarake mund të rinovohej pasi të nënshkruhej dokumenti.

Trump optimist për bisedimet mbi Ukrainën në Arabinë Saudite
Presidenti amerikan, Donald Trump, shprehu optimizëm për arritjen e paqes në Ukrainë, duke theksuar se bisedimet e ardhshme në Arabinë Saudite mund të çojnë drejt përfundimit të konfliktit.

Trump deklaroi se këto bisedime përfshijnë edhe Rusinë, gjë që krijon mundësi për një zgjidhje diplomatike.

Sipas tij, paqja është në interesin më të mirë të të gjitha palëve, si për Ukrainën, ashtu edhe për Rusinë, dhe se lufta nuk është e favorshme për asnjërën prej tyre.

Presidenti Trump shtoi se takimet e mëdha, të planifikuara për ditët në vijim, janë një mundësi për përparim serioz në përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit, si dhe për sigurimin e stabilitetit global dhe zhvillimit ekonomik.

Ai gjithashtu theksoi se lufta duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur, duke theksuar pasojat e rënda ekonomike dhe humanitare të konfliktit, si për Ukrainën, ashtu edhe për pjesën tjetër të botës.