Me rritjen e temperaturave gjatë ditëve të fundit, vërehet numër i shtuar i ndërhyrjeve për shuarjen e zjarrit. Vetëm gjatë fundjavës së kaluar janë regjistruar 60 zjarre në ambiente të hapura, njoftoi sot Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).

Prej atje njoftojnë se deri në mesnatë, nëntë zjarre kanë qenë ende aktivë. Dy janë në komunën e Prilepit, një në territorin e fshatit Krushevicë dhe një në zonën e fshatit Lopaticë.

Zjarri i tretë aktiv është në komunën e Demir Hisarit, në mes të fshatrave Rastojcë dhe Koçishtë.

Aktiv konsiderohet edhe zjarri në komunën e Novo Sellës, në zonën e malit Ograzhden, mbi fshatin Sushicë, afër vendit të quajtur “Çardak”.

Zjarri është aktiv edhe në komunën e Gjevgjelisë, në territorin e fshatit Kovanec.

Një zjarr aktiv ka në komunën e Ohrit, në zonën e fshatit Soshani – Debërcë.

Zjarri i shtatë është në zonën e fshatit Teovo, mes vendeve të quajtura “Begova Çeshma” dhe “Plevenje” në komunën e Çashkës.

Zjarri i tetë është mbi fshatin Grushino në territorin e komunës së Sarajit dhe Zhelinës. Zjarri i fundit aktiv është në komunën e Tetovës, mbi fshatin Veshallë në Malin Sharr.

“QMK apelon për kujdes gjatë lëvizjes në ambiente të hapura, e posaçërisht apelojmë tek të gjithë fermerët që të mos djegin kashtë, si dhe blegtorët kullotat”, theksojnë nga QMK.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume