Elon Musk ka propozuar që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj oligarkëve më të pasur të Ukrainës si një mjet për të nxitur përfundimin e luftës me Rusinë.

Në një postim të tij në platformën X, Musk shkroi: “Vendosni sanksione ndaj 10 oligarkëve më të pasur të Ukrainës, veçanërisht atyre që kanë pasuri në Monako, dhe kjo do ta ndalonte menjëherë luftën. Ky është çelësi për zgjidhjen e këtij problemi.”

Deklarata e Musk erdhi pas komenteve të senatorit republikan, Mike Lee, i cili argumentoi se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të ofrojnë më mbështetje financiare për Ukrainën, ndërkohë që protestuesit kishin shpalosur një flamur të madh ukrainas përpara Shtëpisë së Bardhë.

Në përgjigje të kritikave që e akuzojnë për mbështetjen e Rusisë, Musk solli në vëmendje vendosjen e Starlink në shërbim të ushtrisë ukrainase.

“Unë sfidova Putin për një duel fizik lidhur me Ukrainën dhe sistemi im Starlink është shtylla kurrizore e ushtrisë ukrainase. E gjithë linja e frontit do të shembej nëse unë e ndalja atë,” tha Musk.

Musk gjithashtu shprehu shqetësimin për “masakrat” që janë duke ndodhur dhe theksoi se Ukraina është duke humbur në këtë përplasje të pafund. “Çdo njeri që ka njohuri të vërtetë mbi këtë luftë dhe që është i shqetësuar për të ardhmen, do të dëshironte që kjo të ndalonte. PAQJA DUHET TANI,” shtoi ai.

Në vitin 2022, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Musk sfidoi Presidentin rus Vladimir Putin për një përleshje fizike, duke thënë se nëse fitonte, preidenti rus duhet të ndalonte luftën.

Përveç kësaj, Musk ka sfiduar edhe shefin e Meta-s, Mark Zuckerberg, për një duel fizik, por as ky i fundit nuk ka pranuar.

Deklarata e Musk vjen në një moment delikat në politikën e jashtme të SHBA-së, pasi Trump ka sinjalizuar zhvendosjen e tij drejt një shtytjeje më agresive për negociatat për t’i dhënë fund luftës – duke lënë të kuptohet gjithashtu për sanksione të mundshme ndaj Rusisë.

“Bazuar në faktin se Rusia po “godit” absolutisht Ukrainën në fushën e betejës tani, unë jam duke marrë në konsideratë fuqimisht sanksione, sanksione dhe tarifa bankare në shkallë të gjerë ndaj Rusisë deri sa të arrihet një armëpushim dhe një marrëveshje përfundimtare për zgjidhjen e paqes. Për Rusinë dhe Ukrainën, shkoni në tryezë tani, para se të jetë tepër vonë. Faleminderit!!!” deklaroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.