Frika ishte e madhe, por tani ajo është shuar plotësisht. Rey Manaj kaloi mbrëmjen në spital, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në ndeshjen e së dielës në Superligën e Turqisë.
Sulmuesi humbi ndjenjat në fushë, mndërsa u dërgua me ambulancë në spital.
Pamjet e publikuara më pas nga mediat turke ishin qetësuese, me sulmuesin shqiptar që komunikonte normalisht me trajnerin dhe stafin e skuadrës së Sivaspor, madje duke premtuar se do të kthehej në fushë për dy ose tre ditë.

Por kjo nuk është në dorë të Manaj, ndërsa pas tronditjes së rëndë në kokë, protokolli mjekësor kërkon mbikqyerje, të paktën për 72 orë.

Por lajmet që vijnë nga mediat turke janë pozitive.
Sipas tyre, gjëndja e Manaj është e qëndrueshme, ndërsa kaloi një mbrëmje të qetë në spital.

Edhe testet e para mjekësore nuk kanë zbuluar asgjë qetësuese, por ai do të vijojë të jetë në monitorim dhe do t’i nënshtrohet analizave të tjera në ditët në vijim.

Vetëm atëherë do të mësohet nëse Manaj do të jetë I gatshëm për kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjet e para në kualifikueset e “Botërorit 2026”.

Vetë futbollisti kërkon të jetë me çdo kusht, por trajneri Silvinjo duhet të jetë i sigurtë për gjëndjen e futbollistit, përpara se të zbulojë listën e futbollistëve që do grumbullojë për sfidat kundër Anglisë dhe Andorrës.