Një hap i rëndësishëm drejt drejtësisë për të punësuarit në Spitalin e Prilepit është realizuar. Kryetari i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Dollnen, Eroll Abdiu ka bërë të ditur përmes një postimi në profilin e tij në facebook se nesër në vendet e tyre të punës rikthehen 9 punonjës, të cilëve më herët u ishte ndërprerë padrejtësisht kontrata. Përveç tyre, punën do ta nisin edhe 4 të punësuar të rinj.

“Ky është një ndryshim i dukshëm dhe një mesazh i qartë për ata që për vite me radhë kanë manipuluar me qytetarët. Ne veprojmë me përkushtim dhe përgjegjësi, jo me mashtrime dhe lojëra politike,” theksoj Abdiu.

Ai vlerësoi përkrahjen e liderit të Aleancës për Shqiptarët, Dr. Arben Taravari, duke theksuar se angazhimi për drejtësi dhe dinjitetin e punëtorëve do të mbetet prioritet kryesor.

“Lufta për të drejtat e qytetarëve nuk do të ndalet këtu. Vazhdojmë më fuqishëm!”, ka përfunduar Abdiu.