Deputeti i koalicionit VLEN, Halil Snopçe, ka ngritur akuza të rënda ndaj disa anëtarëve të Këshillit Gjyqësor gjatë interpelancës së zhvilluar në Parlament. Ai deklaroi se disa nga pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor lidhen me skandale të shumta, duke i cilësuar si të përlyer në vendime të cilat kanë ndikuar në lirimin e figurave të kontestuara politike.

“Një nga rastet më flagrante është ‘Target Fortesa’, ku gjyqtari i apelit, Enver Bexheti, u fut në listën e zezë të SHBA-së për mbajtjen e lëndës në sirtar, duke ndihmuar që lënda e Sasho Mijallkovit të vjetrohej. Këto vendime kanë patur impakt direkt në shpëtimin e Mijallkovit”, deklaroi Snopçe.

Ai gjithashtu akuzoi Frontin për mbrojtjen e këtyre anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, duke argumentuar se ata kanë ndihmuar edhe në tentativat për lirimin e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski dhe të tjerëve që janë në listën e zezë amerikane. “Në mungesë të një sistemi gjyqësor funksional në vend, dënimet po i japin shtetet e huaja, respektivisht SHBA-të”, theksoi ai.

Interpelanca ndaj anëtarëve të Këshillit Gjyqësor vazhdon të ngjallë reagime të ashpra, me palët politike që ndajnë qëndrime të kundërta mbi kredibilitetin dhe integritetin e këtij institucioni.