Tre yje të Real Madridit kanë kërcënuar se do të largohen nga klubi, nëse Carlo Ancelotti do të shkarkohet në fund të sezonit.

Ancelotti është në vitin e katërt në krye të Reali, në periudhën e tij të dytë në klub.

Ai i ka fituar dy trofe të Ligës së Kampionëve gjatë herës së dytë, derisa këtë sezon kanë hyrë si kampion në fuqi të këtij kompeticioni.

Reali e pati një fillim të vështirë në Ligën e Kampionëve të sivjetme, duke pësuar tri humbje nga Milani, Liverpooli e Lille në fazën e ligës, por që në play-off e shkatërroi Manchester Cityn 6-3 nga dy ndeshje.

Thashethemet për largimin e Ancelottit në fund të sezonit kanë nisur që nga janari, me Xabi Alonson që thuhet se do të jetë pasardhësi i tij.

“Relevo” megjithatë ka raportuar se Carlo është i lumtur në Madridi dhe se ai dëshiron të vazhdojë në krye të skuadrës deri në vitin 2026.

Por, nëse ai dështon të fitojë Ligën e Kampionëve, e ardhmja e tij në klub mund të jetë në rrezik.

Sipas “Don Balon”, tre lojtarë të Realit i kanë bërë me dije Florentino Perezit që dëshirojnë që Ancelotti të vazhdojë me klubin përtej këtij sezoni.

Ferland Mendy, Eduardo Camavinga e Aurelien Tchouameni thuhet të kenë një marrëdhënie të jashtëzakonshme me trajnerin italian.

Tre lojtarët kanë luajtur vazhdimisht në 11-shen startuese të Ancelottit dhe shpresojnë që ai të vazhdojë të jetë me skuadrën edhe pas këtij sezoni.