Një problem në platformën e lëshimit bëri që “SpaceX” të shtyjë një fluturim drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës të mërkurën në mbrëmje për të zëvendësuar dy astronautët e ngecur të NASA-s.
Ekuipazhi i ri duhet të niset drejt Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës përpara se Butch Wilmore dhe Suni Williams të kthehen në Tokë pas nëntë muajsh në orbitë. Rreth katër orë përpara lëshimit në hapësirë të raketës Falcon nga Qendra Hapësinore Kennedy e NASA-s, specialistët zbuluan disa elemente shqetësuese në sistemin hidraulik.
Inxhinierët bënë vlerësimin e sistemit hidraulik që përdoret për të çliruar një nga dy krahët që mbajnë raketën në platformën e lëshimit. Struktura duhet të anojë mbrapa menjëherë përpara lëshimit të raketës. Të lidhur në kapsulën e tyre, katër astronautët pritën një vendim përfundimtar, i cili erdhi kur kishte mbetur më pak se një orë nga momenti i caktuar për lëshim.
Firma “SpaceX” e anuloi lëshimin por nuk njoftoi një datë të re për nisjen drejt hapësirës ndërsa theksoi se prova e radhës mund të jetë mbrëmjen e së enjtes.
Ekuipazhi amerikan, japonez dhe rus do të zëvendësojnë astronautët Wilmore dhe Williams, të cilët kanë mbetur në stacionin hapësinor që nga qershori. Dy pilotët testues mbetën në stacionin hapësinor pasi kapsula “Starliner” me të cilën udhëtuan, nga firma “Boeing”, pësoi një avari.
NASA tha atëherë se kthimi i astronautëve me sondën e firmës “Boeing” është shumë i rrezikshëm. Sipas njoftimit, dy astronautët do të qëndrojnë në stacionin hapësinor deri në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.
Fluturimi i parë me sondën e firmës Boeing ishte parashikuar të zgjaste një javë, por NASA dha urdhër që kapsula të kthehej në Tokë bosh dhe dy astronautët, Wilmore dhe Williams të ktheheshin me kapsulën e firmës “SpaceX”.
Në vitin 2014, NASA nënshkroi një kontratë prej 4.2 miliardë dollarësh me firmën ‘Boeing’ për ndërtimin e një mjeti hapësinor për dërgimin e astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës. Po ashtu, NASA nënshkroi një kontratë të ngjashme prej 2.6 miliardë dollarësh me firmën ‘SpaceX’. Sonda “Dragon” e kompanisë “SpaceX” ka marrë miratimin e NASA-s për dërgimin e astronautëve në hapësirë që në vitin 2020.
Një sondë e fundit e kompanisë “SpaceX” dërgoi më shumë ushqime dhe rroba për astronautët Wilmore dhe Williams për ta bërë më të rehatshëm qëndrimin e tyre në hapësirë./VOA