Sot është dita e fundit e Karvanit Informues IPARD, i cili u realizua gjatë tre javëve të fundit. U mbajtën takime informuese me përfituesit e mundshëm për Masën 1 “Investime në mjetet themelore të mjeteve bujqësore” nga Programi IPARD 3 (2021-2027) në të gjitha rajonet e Maqedonisë.

Ekipet nga Autoriteti për Menaxhimin e IPARD-it pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural (AMFBZHR) dhe Agjencia për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë (ANZHB), vizituan 29 lokalitete.

Novaci, Mogilla, Tetovë, Jegunovcë, Sveti Nikollë, Veles, Karbincë, Shtip, Kavadar, Timjanik, Prilep, Krivogashtan, Bosillovë, Vasilevë, Konçe, Radovish, Berovë, Vinicë, Negotinë (Komuna e Vrapçishtit), Gostivar, Koçan, Obleshevë, Veleshtë, Misleshovë, Demir Hisar, Kravari, Kumanovë, Likovë dhe Petrovec janë rajonet bujqësore që ishin target i karvanit informues. Këto janë rajone me një traditë të gjatë në prodhimin bujqësor dhe pikërisht për këtë arsye u vizituan nga ekipet tona, me qëllim që të gjithë ata që planifikojnë të aplikojnë në thirrjen publike për Masën 1 të kenë informacione të qarta mbi kushtet dhe procedurën e aplikimit.

Gjatë takimeve u dhanë përgjigje për të gjitha pyetjet e parashtruara, çdo paqartësi e aplikantëve të ardhshëm u shpjegua në detaje dhe të gjithë u ftuan të kontaktojnë lirisht kolegët nga ANZHB për ndihmë falas në përgatitjen e aplikacioneve.

Me këtë mbështetje, u mundësojmë aplikantëve të ardhshëm të kenë aplikacione të mirëpërgatitura, dhe në këtë mënyrë suksesi i thirrjes publike është i garantuar.

Mundësia që ofron Masa 1 përmes thirrjes publike që është aktualisht në zhvillim, duhet të shfrytëzohet veçanërisht në fshatrat që kanë prodhim real bujqësor dhe jetojnë nga ajo. Në dispozicion janë 7.4 milionë euro që do të investohen në prodhimin bujqësor vendas.

Qëllimi është i përbashkët – me mbështetjen e fondeve të Programit IPARD (2021-2027), të modernizojmë së bashku prodhimin bujqësor me mekanizëm bujqësor bashkëkohor dhe pajisje shtesë për prodhim dhe aktivitete pas korrjes, ferma të reja ose të rinovuara, objekte ndihmëse, investime në prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme, si dhe investime në përpunimin dhe marketingun direkt të prodhimit bujqësor në fermë.

Karvani informues përfundon sot me takimin në Petrovec, me fillim në orën 14:00, në ambientet e ndërtesës komunale të Petrovecit.

Të gjithë përfituesit e mundshëm i rikujtojmë se thirrja publike 01/2025 skadon më 29 mars. Ka ende kohë të mjaftueshme për të përgatitur aplikacionet dhe për t’i dorëzuar ato në kohë në Agjencinë e Pagesave.

Edhe pse ditët informuese përfundojnë sot, ekipet e institucioneve do të jenë ende të disponueshme për pyetje dhe konsultime përmes faqeve të internetit dhe numrave të telefonit të mëposhtëm:

• Trupi për Menaxhimin e Fondeve IPARD pranë Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave – https://ipard.gov.mk ose në 02/3134-477 (lokalet 113, 114 dhe 115)

• Agjencia për Mbështetje Financiare në Bujqësi dhe Zhvillim Rural – http://www.ipardpa.gov.mk ose në 02/3097-460, 070/229-434 (Sektori për miratimin e projekteve), 070/229-328 (Sektori për miratimin e pagesave)

• Agjencia për Nxitjen e Zhvillimit të Bujqësisë – http://agencija.gov.mk/ ose në 047/228-330 dhe 047/228-370

Të gjithë atyre që morën pjesë në takime i falënderojmë për interesin e treguar, duke kontribuar kështu në suksesin e Karvanit Informues.