Kryeministri Hristijan Mickoski ka paralajmëruar se populli do të vetë-organizohet dhe do të protestojë masivisht nëse pesë anëtarët e Këshillit Gjyqësor, të cilëve shumica parlamentare u votoi mosbesim, nuk largohen nga funksionet e tyre.

Më 11 mars, Kuvendi votoi për mosbesimin e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Parlamenti: Vesna Dameva, Selim Ademi, Miljazim Mustafa, Tanja Çaçarova-Ilievska dhe Pavlina Crvenkovska. Megjithatë, këto interpelanca nuk janë detyruese për ta, ndaj shumica qeveritare i ka thirrur që të japin dorëheqje.

Mickoski vazhdon të këmbëngulë se mosdorëheqja e tyre tregon se ata “po kërkojnë boshllëqe në ligj”, edhe pse ligji nuk i detyron të largohen. Para se të votoheshin këto interpelanca, ai vetë kishte deklaruar se rezultatet e tyre nuk janë të detyrueshme për anëtarët e Këshillit Gjyqësor.

Sot, ai paralajmëroi se nëse ata nuk japin dorëheqje, “populli do të reagojë”. Megjithatë, nuk dha ndonjë sqarim nëse VMR0-DPMNE, tani si parti në pushtet, do të ndryshojë ligjet për t’i mundësuar Kuvendit shkarkimin e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor nëse deputetët janë të pakënaqur me punën e tyre.

“Shohim që disa individë po bëjnë inat. Mendojnë se me inat do të arrijnë diçka. Unë jam gjithmonë me popullin dhe e dëgjoj reagimin e tij. Dua të them se, nëse nuk veprojnë sipas vendimit të atyre që i kanë zgjedhur, kam frikë se populli do të reagojë. Populli mund të vetë-organizohet dhe të protestojë, sepse ka një dëshirë të madhe për drejtësi,” tha Mickoski sot gjatë vizitës së tij në komunën Gjorçe Petrov në Shkup.

Mickoski theksoi se protesta mund të jetë e madhe, duke pasur parasysh se VMRO-DPMNE ka fituar 500 mijë vota dhe se një pjesë e rëndësishme e fushatës ka qenë kërkesa për drejtësi për të gjithë, jo vetëm për disa individë. Ai shtoi se, nëse ndodh një përshkallëzim i tillë, protesta mund të jetë masive dhe e mbështetur personalisht prej tij.

I pyetur nga gazetarët nëse këto veprime përbëjnë ndërhyrje në gjyqësor, ai mohoi këtë, por paralajmëroi se populli do të reagojë dhe “askush të mos kapet në befasi”.