Anulohen trenat dhe autobusët drejt Beogradit – Vuçiq po bën gjithçka për ta penguar protestën masive kundër tij

Një protestë e madhe anti-qeveritare pritet të zhvillohet sot në Beograd, ndërsa autoritetet po përpiqen ta pengojnë në mënyra të ndryshme, duke akuzuar organizatorët studentë për një komplot që synon të shkaktojë luftë civile dhe të rrëzojë presidentin e shtetit, Aleksandar Vuçiq.
Mediat raportojnë sot se janë anuluar trenat dhe autobusët drejt Beogradit. Kompania shtetërore e hekurudhave ka njoftuar se trenat ndërqytetës nuk do të qarkullojnë për shkak të një njoftimi të pretenduar për bomba të vendosura në infrastrukturën hekurudhore, ndërsa shumë ndërmarrje transporti kanë anuluar nisjet drejt kryeqytetit për fundjavën. Po ashtu, ndërmarrja publike “Putevi Srbije” ka njoftuar punime dhe mundësinë e vonesave në disa segmente të autostradave drejt Beogradit.
Partitë opozitare paralajmërojnë se institucionet serbe janë kapur dhe po shërbejnë hapur për regjimin, përfshirë shërbimet sekrete, policinë e trafikut, televizionin publik dhe drejtuesit e kompanive publike të transportit.
Një numër i madh qytetarësh janë drejtuar në redaksitë e mediave duke shprehur shqetësimin për mënyrën si do të arrijnë në Beograd për protestën, duke pasur parasysh se pothuajse të gjitha format e transportit publik janë ose anuluar ose të vështirësuara.
Përveç problemeve me transportin, qytetarët në rrjetet sociale po tërheqin vëmendjen për fenomene të pazakonta në lagjet e qytetit. Ka pasur raporte për vendosjen e blloqeve betoni dhe thasëve të mbushura me gurë në pjesë të ndryshme të qytetit, gjë që ngjall dyshime se autoritetet po përpiqen të krijojnë një atmosferë frike dhe mundësish për trazira. Pamjet që qarkullojnë në internet tregojnë policë që gjithashtu kanë vënë re këto objekte dhe konfirmojnë se qytetarët kanë raportuar masivisht praninë e tyre.
Për më tepër, në qendër të Beogradit, përpara Kuvendit të Serbisë, janë vënë re dhjetëra traktorë, shumë prej të cilëve pa targa. Ende nuk është e qartë kush i ka sjellë dhe cila është qëllimi i tyre, por shumë të tjerë supozojnë se autoritetet po përpiqen të frikësojnë qytetarët dhe t’i demoralizojnë ata që të marrin pjesë në protestë.
Nga ana tjetër, gjithnjë e më shumë transportues po flasin hapur për presionet me të cilat po përballen. Disa shoferë janë thirrur për biseda informative në polici, dhe informacionet jozyrtare tregojnë se autoritetet kanë ushtruar presion mbi kompanitë e transportit që të anulojnë linjat drejt Beogradit. Megjithatë, disa kompani autobusësh kanë vendosur të vazhdojnë punën dhe të transportojnë pasagjerë për në protestë.
Pavarësisht të gjitha pengesave, organizatorët e protestës mbeten të vendosur. Studentët, që janë një nga nxitësit kryesorë të tubimit, insistojnë në kërkesat e tyre, mes të cilave është dhe publikimi i dokumentacionit për rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku shembja e një strehe shkaktoi vdekjen e 15 personave.
Qytetarët që planifikojnë të marrin pjesë në protestë po përballen me një sërë pengesash, por gjithnjë e më shumë prej tyre po tregojnë se nuk do të dorëzohen. Atmosfera në Beograd është e tensionuar, dhe mbetet të shihet se si do të reagojnë autoritetet nesër, kur pritet një numër i madh njerëzish në rrugët e kryeqytetit të Serbisë.